Belioza Çoku, Shefja e Kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka hedhur në gjyq gazetaren Juli Ristani, e cila ka publikuar fillimisht në gazetën Shqip një shkrim investigues rreth procedurës për fitimin e bursave për mjekësi ushtarakë në Greqi, të ofruar nga NATO.
Dy media, Gazeta Shqip dhe Bold News, të cilat publikuar matierialin janë paditur po ashtu.
Artikulli investigues paraqet të faktuar listën fillestare ku studenti Aldo Graceni shpallet fitues i bursës së plotë në degën Mjekësi në Greqi, me një total prej 90.86 pikësh. Më pas, rendi ndryshohet dhe fitues i bursës shpallet një tjetër konkurrent, me 14 pikë më pak se Graceni.
Babai i Aldo Gracenit denoncoi Shefen e Kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes duke deklaruar se e ka kontaktuar atë në orë të vona të natës dhe e ka kërcënuar se do t’i procedojë penalisht për nxjerrjen e listës së fituesve.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) e ka quajtur padinë e bërë nga pala e Ministrisë së Mbrojtjes si akt intimidues dhe presion mbi raportimin e lirë të gazetarëve.
“UGSH e denoncon këtë padi si një akt të pastër presioni ndaj raportimit të lirë, ndaj pengesave dhe vështirësive për respektimin e ligjit për të drejtën për informim dhe cungimit të transparencës publike prej administratës publike, përfshi edhe atë të Mbrojtjes”, u shprehën ata në një deklaratë për shtyp.
Procesi i marrjes së informacionit nga institucionet, thekson Unioni i Gazetarëve, është hasur në stërkëmbës, deri në presione të hapura nga gazetares Ristani.
“Ndërkohë që përgjatë procesit të mbledhjes të të dhënave dhe prononcimeve zyrtare, gazetares i janë dashur gati tre muaj pritje dhe durim, ç’ka bie ndesh me afatet ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar”.
Në këtë padi është përfshirë edhe Agjencia e Inteligjencës së Shërbimit të Mbrojtjes, për të hetuar si rrodhi dokumenti i publikuar në artikull.