Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet sot për të zyrtarizuar datat dhe formatin sesi do të vijojë ky edicion i Champions League. Mirëpo rrugëtimi duket se është caktuar dhe pret vetëm të bëhet i ditur nga zyrtarët e qeverisë evropiane të futbollit, direkt duke nisur nga ora 15:30, në Tring Sport News .
Të tetat e finaleve pritet të përfundojnë më datat 7 dhe 8 gusht, në qytetet ku janë në program, por natyrisht pa praninë e tifozëve në stadiume. Më pas do të nisë një “Final Eight”. Konkretisht, 8 skuadrat më të mira do të sfidohen në Lisbonë të Portugalisë, mes stadiumeve të Benfikës, “Da Luz”, dhe të Sportingut, “Alvalade”. Ndërsa finalja do të luhet më 23 gusht dhe jo më datë 29 sic mendohej fillimisht, për të pasur më tepër hapësirë në rifillimin e sezonit tjetër. Stambolli, ku ishte vendosur fillimisht për t’u luajtur finalja e këtij viti, do të presë aktin përfundimtar të kompeticionit vetëm në vitin 2021.
Sa i takon Europa League, pas përmbylljes së tureve që mbeten për t’u luajtur, do të kalohet përsëri në “Final Eight”. Në këtë rast do të zhvillohet e gjitha në Gjermani. Saktësisht nëpër stadiumet e Gelsenkirchen – ku më 21 gusht duhet të mbahet edhe finalja – Dusseldorf, Këln dhe Duisburg. Superkupa e Europës do të luhet më 24 shtator në Budapest. Sidoqoftë, sot pritet të zyrtarizohet gjithçka më konkretisht!