Edicioni i dytë i ‘Big Brother VIP Albania’ ka nisur prej pak javësh, teksa në këtë hark relativisht të shkurtër kohor kemi parë eleminime nga shtëpia, largime, debate e drama, ndërsa ditën e nesërme do të shohim edhe Prime-n e tretë për këtë sezon. Megjithatë ajo që kishte munguar deri më tani ishte emisioni traditë i së dielës në ‘Top Channel’, ai që historikisht i është dedikuar fansave.
Po flasim për ‘Fan Club’, që mesa duket do të nisë këtë të dielë, por me ndryshime të reja, madje thelbësore. Kështu, sipas promo-s zyrtare nga televizioni, drejtimi i programit këtë sezon i është besuar Megi Pojanit, që sapo ka mbyllur aventurën si finaliste e ‘Dancing With the Stars’ dhe për herë të parë do të drejtojë një emision kaq të ndjekur.
E megjithëse në promo nuk flitet për opinionistin, po ashtu një pozicion traditë në këtë program, burimet thonë se do të jetë Ardit Cuni, i cili është përfolur edhe më parë për një rol të tillë në produksionin e ‘BBV’.