Top Channel i jep fund dilemës. Bordi i Aksionerëve ka vendosur që Sokol Balla të mos dalë për disa kohë në ekran, deri në një moment të dytë që ata do ta vlerësojnë sërish. Nuk dihet nëse Balla do të jetë dakord për pozicionin e tij të ri në Top Channel. Në pikëpyetje mbetet emri i moderatorit që do të drejtojë intervistën me kryeministrin Edi Rama në ‘’Top Story’’.
Zhvillimet më të fundit në zyrat e ”Top Channel” tregojnë ende dilemat e aksionerëve. Ata u vendosën përballë faktit kokëfortë se duhet të marrin shpejt një vendim se çfarë do të bëjnë me emisionin ”Top Story”.
Newsbomb.al mëson se emisioni me Edi Ramën që transmetohet nesër, do të regjistrohet sot pasdite dhe Edi Rama ka konfirmuar prezencën e tij. Aksionerët e Topit kanë qenë në dilemë nëse duhet të lejojnë Ballën ta drejtojë, pasi është në pikëpyetje sipas tyre, imazhi i televizionit dhe druhen nga ajo që do të mendojë publiku. Personalisht, një pjesë e aksionerëve mendojnë se Balla nuk ka bërë asgjë për të cilën duhet të ”kryqëzohet”.
Top Channel ishte në dilemë për shkarkimin e gazetarit Sokol Balla, pas videos intime publikuar së fundmi për të në media. Bordi i Aksionerëve ka qenë duke reflektuar këto dy ditë për vendimin që duhet të merrte për Ballën, i cili drejton një nga emisionet më të rëndësishme politike të këtij televizioni, ‘’Top Story’’.
Më herët u përfol se një nga zëvendësuesit e mundshëm mund të ishte Mustafa Nano, i cili i ka dalë në mbrojtje Ballës. Nano por ka hedhur poshtë zërat e një negociate të tillë. Dilema e Bordit të Aksionerëve u shtua pasi koha nuk premtonte për negociata me gazetarët e mundshëm të tregut mediatik.
Për gazetarin Balla qarkulloi një video me skena intime mes tij dhe një profili femre të paidentifikuar në internet. Analistët Baton Haxhiu dhe pronari i A1 Report Carlo Bollino e kanë mbrojtur Sokol Ballën, duke thënë se Top Channel është duke gabuar me këtë vendim dhe se po krijon një ‘’viktimë’’ në plot kuptimin e fjalës.
Analistët kanë kujtuar standardet e dyfishta të këtij televizioni kur në njërën anë transmeton skena seksi në Big Brother dhe nga ana tjetër gjykon jetën personale në shtëpinë e tij të gazetarit.
Balla nuk ka bërë ende asnjë koment për videon dhe për vendimin e bordit të aksionerëve të Top Channel.
Burimi NewsBomb