Edicioni i 12-të i Festivalit të muzikës moderne shqiptare Top Fest, do të jetë i fundit në historinë e tij 12 vjeçare.
Edhe pse lajmi për anullimin e këtij festivali prej ditësh qarkullonte në formë thashethemi, ka qenë një nga pronaret e Top Media dhe producentja e edicionit të fundit, Lori Hoxha ajo që ka zyrtarizuar lajmin në nje intervistë për revistën “Elegance”. Protagoniste e numrit të muajt maj Lori Hoxha ka folur gjatë për te ardhmen e saj si producente televizive dhe se çfarë do të bëhet me festivalin që trashëgoi nga i ati i ndjerë.
“Do të thoja që jo vetëm Top Fest-i ka nevojë për mua, por edhe unë për Top Fest-in…Përfshirja në produksionin e Top Fest-it, me një grup të jashtëzakonshëm pune dhe me njerëz të përkushtuar, të palodhur dhe pasionantë, është një shkollë më vete që më lumturon dita-ditës… Në gjykimin tonë, festivali si formë e ka kryer misionin e tij. Top Fest nisi 12 vite më parë si një filizë në mes të shkretëtirës dhe vit pas viti u rrit deri në pikën që është sot, pra po në mes të shkretëtirës, por tashmë si një qytet madhështor, përfytyroni Dubain.”
Sipas Lorit, ka ardhur pika e kthimit, derisa konfirmon se ky do të jetë Top Fest-i i fundit. Nata finale që do të transmetohet më 31 maj do të zbulojë më shumë detaje për mënyrën se si do të vlerësohet tani e tutje puna e muzikantëve përgjatë një viti në një mbrëmje të vetme, tip “Grammy’s” apo “MTV awards”.
Vendimi i anullimit të këtij festivali ka ardhur ndoshta në momentin e duhur, edicioni i fundit i Top Fest, nuk ka thithur audiencën që e ka karakterizuar në vitet e kaluara, për më tepër edhe prurejt këtë vit kanë qenë shume të varfëra dhe është venë re mungesa e emrave të mëdhenjë të muzikës. Edhe pse u tentua me gjysëmfinalet jashtë studiove tradicionale dhe për herë të parë Top Fest zhvillohej në Prishtinë, impakti në audiencë rezultoi zhgënjyes. Nata e ndarjes së çmimeve, 31 Maj 2015 pritet të jetë edhe mbrëmja tribute për Top Fest që do t’i rikthej shkëlqimin denjësisht Festivalit në edicionin e tij të fundit.