Ka kaluar vetëm një natë në grumbullimin e kombëtares zvicerane të futbollit dhe nisin problemet e para, ende pa zbritur asnjë minutë në fushën zyrtare të lojës.
Dy gazetarë janë shpallur “non grata” dhe janë nxjerrë jashtë hotelit të përfaqësueses “helvetike” nga ana e forcave të sigurisë, pasi kishin hyrë për të filmuar në ambientet e ekipit pa një autorizim.
Çështja në dukje e vogël ka sjellë reagimin e protagonistëve dhe shoqatave të gazetarëve për dhunën verbale sipas këtyre të fundit, që është regjistruar ndaj përfaqësuesve të shtypit.
Në mbrëmjen që Zvicra zbarkoi në Zhyvinjak, në zonën e Monpeljesë, dy gazetarët kërkuan të futen në hotelin që është ngjitur me atë ku po qëndron kombëtarja.
Më pas ata hynë për të marrë akreditimet në ambientet e kompleksit por kjo shkaktoi kaos e protesta, dhe dy zviceranët u detyruan të largohen.
Trajneri i ekipit, Vladimir Petkovic e ka kufizuar aksesin e mediave për të ndjekur stërvitjet e kombëtares, duke mos preferuar të rrjedhë asgjë në shtyp, pas polemikave për përjashtimin e veteranit Gokhan Inler nga Euro 2016.
/ Top Channel