Zhduket pa asnjë gjurmë me mbi 2 miliardë dollarë me vete, themeluesi i kriptomonedhës Thodex, shtetasi turk Faruk Fatih Ozer. Shqipëria është destinacioni mundshëm ku ai mund të jetë fshehur, krahas Tajlandës, siç dyshojnë hetuesit turq që e kanë shpallur atë në kërkim ndërkombëtar.
Mediat shkruajnë se para largimit, 27-vjeçari ka mbyllur të gjitha platformat dhe portofolet virtuale ku tregtonte kriptomonedhën e tij, po ashtu edhe llogaritë në Twitter e rrjete të tjera sociale. Kjo monedhë virtuale me qendër në Stamboll, që po bëhej gjithnjë e më popullore në Turqi kishte grumbulluar investimet e 391 mijë personave, të cilët tashmë nuk dinë asgjë për fatin e parave të tyre.
Me mijëra denoncime kanë mbërritur anekënd vendit, për zhdukjen e investimeve virtuale. Pak ditë më parë, poseduesit e kriptomonedhave Thodex thanë se kishin marrë paralajmërime se platformat do të mbylleshin për të paktën 5 ditë për shkaqe të paspecifikuara.
Hetuesit thonë se Ozer mund të përballet me akuza të mashtrimit të rëndë financiar dhe themelimit të organizatave kriminale. Presidenti Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje më herët qytetarëve të bëjnë kujdes me investimet në kriptomonedha pasi investimet e tyre nuk janë të sigurta dhe ky treg nuk është i ligjëruar.