Telekomi i Kosovës do ta paguajë muaj për muaj operatorin kabllor nga Shqipëria, DigitAlb, për transmetimin e përmbajtjes së saj televizive bazuar në një marrëveshje të nënshkruar të hënën.
Ndërmarrja publike e telekomunikimit ka nënshkruar të hënën kontratë për sigurimin e përmbajtjes televizive të DigitAlb. Marrëveshja me kohëzgjatje dy-vjeçare parashihet të kushtojë 1.3 milionë euro.
Megjithatë, detyrimet financiare të kontratës nuk janë fikse. Ato varen nga dakordimi me çmimin për njësi për abonent, thuhet në Dosjen e Tenderit për ‘furnizim me kanalet televizive të DigitAlb’.
Ndonëse Telekomi ka paralajmëruar publikimin e ofertave gjatë këtij muaji, ende nuk dihet se sa do të jetë çmimi njësi për abonentët.
Vlera totale e vlerësuar e kontratës është 1,300,000.00 Euro për një periudhë dy vjeçare, ndërsa pagesa do bëhet në baze të dakordimit me çmimin për njësi për abonent”, thuhet në njoftimin për dhënien e kontratës, të publikuar në platformën e-prokurimi.
Procedura tenderuese të cilën e ka zhvilluar Telekomi i Kosovës është e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Në Dosjen e Tenderit thuhet se Telekomi do t’ia paguajë shërbimet DigitAlb-it muaj për muaj.
“Faturimi për shërbimin e ofruar pas shkëmbimit të dhënave dhe dakordimeve përkatëse, duhet të kryhet brenda datës (10) të muajit në vazhdim. Fatura do të përgatitet në baza mujore në valutën Euro”, thuhet në paragrafin 3 të Nenit 5 mbi faturimin, pagesat dhe garancinë.
Sipas dosjes, faturimi bëhet në bazë të raportit mujor të Autoritetit kontraktues i cili dorëzohet në fillim të çdo muaji për muajin paraprak.
“Në rast se njëra nga palët ka kundërshtuar ose ka keqkuptime në lidhje me vlerën e faturuar duhet të njoftojë palën tjetër me shkrim në lidhje me kundërshtitë e tij brenda 20 ditëve nga data e arritjes se faturës. Në rast se nuk ka njoftuar brenda periudhës përkatëse, vlera e faturuar do të konsiderohet e vlefshme dhe e saktë”, thuhet në paragrafin 6 të të njëjtit nen.
Kontrata mes palëve përmban një nen të veçantë që rregullon standardet e cilësisë së transmetimit dhe nivelin e shërbimit. Parashihet që nëse DigitAlb nuk arrin të ofrojë standarde të transmetimit në 99.9 për qind të disponueshmërisë, do të sanksionohet nga Telekomi.
Penalltitë e mundshme në rast të rënies së nivelit të shërbimit, pra të disponueshmërisë në transmetim, janë paraparë me Nenin 7 të kontratës: Standardet e cilësisë dhe marrëveshja për nivelin e shërbimit.
Sipas këtij neni, mospërmbushja e kriterit të disponueshmërisë do të sanksionohet varësisht nga niveli i rënies së disponueshmërisë dhe kohëzgjatja e saj.
“Mospermbushja e kriterit të lartecekur, do të sanksionohet sipas tabelës vijuese dhe kjo vlerë automatikisht do të zbritet në faturën e ardhshme”, thuhet në kontratë.
Një nen tjetër në kontratë ia ndalon Telekomit që t’i transferojë detyrimet apo të drejtat e parapara me marrëveshje te palët e treta.
“Asnjëra nga palët nuk kanë të drejte të kalojë këtë kontratë ose të transferojnë asnjë të drejtë ose detyrim në mënyrë të plotë ose të pjesshme, në mënyrë direkte ose indirekte që rrjedh nga kjo kontratë, tek palët e treta, pa marrë më parë miratim me shkrim nga pala tjetër”, thuhet në marrëveshjen mes palëve.
Marrëveshja parasheh që kontrata të bëhet efektive me rastin e nënshkrimit nga të dyja palët dhe do të mbetet në fuqi për dy vite vijuese nga kjo datë.
“Kushtet komerciale dhe teknike mund të ri negociohen çdo 6 (gjashte) muaj, nëse cilado nga palët shprehë interes për një gjë të tillë”, parashihet me kontratë. /Paparaci.com