Këshilli Drejtues i RTSH e ka zgjedhur zotin Gëllçi gjatë mbledhjes të së premtes me 7 vota pro dhe 4 kundër. Kandidatura tjetër për këtë post ishte e prof.Petrit Malajt.
Zgjedhja e zotit Gëllçi vjen pas një mungese afro tre vjeçare e titullarit kryesor të RTSH, radiotelevizioni i vetëm publik në Shqipëri. Shkak u bënë mosmarrëveshje politike dhe një ligji i cili më shumë se zgjedhjen e drejtuesit nëpërmjet konsensusit, ofronte bllokimin e procesit.
Zgjedhja e zotit Gëllçi, i cili vjen në këtë detyrë nga bota e gazetarisë, bëhet në një kohë kur RTSH ka nisur pas shumë shtyrjesh procesin e dixhitalizimit, ndërsa vazhdimisht ka qene në qendër të kritikave për nivelin jo të kënaqshëm të përcjelljes së informacionit për publikun. Vetë zoti Gëllçi, gjatë paraqitjes së platformës kohë më parë, ka deklaruar se Radiotelevizioni Publik Shqiptar ndodhet përpara sfidash të mëdha, detyrash të vështira dhe zgjidhjesh po aq të vështira. “Unë jam i bindur se shumë shpejt njerëzit do të na duan, publiku do të na ndjekë, shikuesit do të na shtohen dhe fitimet do të rriten” shkruante në platformën e tij zoti Thoma Gëllçi, Drejtori i ri i Përgjithshëm i RTSH.
Zgjedhja e kreut të ri të RTSH nuk i ka shpëtuar komenteve të politikës. Nënkryetari i komisionit të medias, deputeti socialist Alfred Peza tha pas votimit se zoti Gëllçi “… u zgjodh me shumicën e cilësuar të votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pavarsisht se për atë mjaftonte edhe shumica e thjeshtë e votave”. Sipas tij kjo tregoi “…se ai ka marrë mbështetje edhe nga opozita”.
Nga ana e tij deputeti i PD, Luçiano Boçi, duke ju referuar kohës kur zoti Gëllçi drejtonte gazetën e PS “Zëri i Popullit”, shkruan me ironi se “Ka mundësi ta emërtojnë dhe “RTSH-Zëri i popullit””E hajde e thoni tani po të doni që në Shqipëri media nuk është e lirë!!!” shkruan deputeti i PD Luçiano Boçi.
Marrë nga RTSh