Ne e dimë me siguri se reperi Kanye West nuk do të shpallej president i SHBA-së, edhe nëse nuk do të na ishte komunikuar fitorja e demokratit Joe Biden.
43-vjeçari miliarder pohoi se mblodhi vetëm 60 mijë vota nga rreth 160 milionë.
Por duket se, West nuk është demoralizuar aspak.
Ai shkroi në Twitter “Kanye 2024”, duke lënë të nënkuptohej se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ëndrra e të qenit një ditë president i Shteteve të Bashkuara.
Në këtë përpjekje të parë, West u shfaq në fletët e votimit në 12 shtete, duke humbur afatin e regjistrimit në shumicën e të tjerëve.
Ai mblodhi më shumë vota – 10,188 – në Tenesi, një shtet që favorizon zakonisht kandidatët republikanë.
Kur West njoftoi kandidaturën në korrik, tha se platforma e tij ishte modeluar nga Wakanda, “mbretëria” e trilluar nga Black Panther.
Lufta ndaj brutalitetit të policisë ishte një përparësi për të, tha West për Forbes në një intervistë, sikundër pastrimi i kimikateve në deodorante apo pasta dhëmbësh. Ai gjithashtu deklaroi se do të përqëndrohej në mbrojtjen e Amerikës me “ushtrinë e saj të madhe”.
Kandidatura e West ishte subjekt i shumë kritikave – dhe shqetësimit për shëndetin e tij.
Në një tubim në Charleston, Karolina e Jugut, që synonte të niste zyrtarisht fushatën e tij, ylli i muzikës rep bëri disa përçartje hutuese, në një moment duke thënë se aktivistja e shekullit të 19-të Harriet Tubman “kurrë nuk i çliroi skllevërit, ajo thjesht kishte bërë që ata të shkonin të punonin për njerëz të bardhë”.
West më vonë filloi të qante kur foli për abortin, duke thënë se prindërit e tij pothuajse e abortuan dhe se ai më parë kishte dashur të abortonte vajzën e tij.
Reperi zbuloi vitin e kaluar se ai kishte çrregullim bipolar dhe bashkëshortja, Kim Kardashian Wepostoi në mediat sociale foton e tij duke vrapuar, teksa kërkonte “dhembshuri dhe ndjeshmëri” për West.
Dhe postimet në Twitter nga West duke u kërkuar ndjekësve të shkruajnë emrin e tij në fletët e votimit për president, nxitën kritika se ai në mënyrë të efektshme po largonte votat nga kandidatët legjitimë.