Të hysh në botën e fëmijëve nuk është gjithmonë e lehtë, e aq më tepër të flasësh gjuhën e tyre. Por, ata ia dalin. Aktorët e dublimeve. Nuk janë të gjithë profesionistë, por, me gjithë hendekun e madh të moshës, arrijnë të ulin vitet për të hyrë në rolin e duhur.
“Para shumë kohësh ka qenë një film i dubluar në japonisht. Nuk dija asnjë fjalë dhe sigurisht që sinkroni nuk dilte njësoj. Kështu që detyroheshim vazhdimisht që me Emin, operatorin e studios, i cili punon me shumë durim me ne, të përshtasnim pak tekstin, të bënim pak zgjatjen, në mënyrë që të kapnim sinkronin”.
Xhelil Aliu është regjisor, por zëri i tij tashmë është emblemë e industrisë së dublimeve në Shqipëri.
“S’e kisha menduar ndonjëherë, që edhe vet të isha ndër këta. Por, fakti që po vazhdoj dhe njerëzit më thonë fjalë të mira, më bëjnë që të më vijë mirë”, tha Xhelil Aliu.
Ashtu sikurse në një film, ku aktori duhet të hyjë në rol, edhe gjatë procesit të një dublimi ndodh e njëjta gjë. Por, jo të gjithëve u takon të jenë heroi i fabulës.
“Në çastin që ty të jepet roli i një personazhi negativ në një film të animuar, automatikisht ai është i vështirë. Qoftë nga pasthirrmat e shumta që ka dhe e karakterizon atë si një personazh negativ, ashtu sikurse dhe vështirësitë e efekteve të tjera, që duhet ta shoqërosh”, thotë Erioni.
Shpesh, hyrja në një rol, edhe për vet profesionistët nuk është kaq e lehtë. Arbër Islami tregon:
“Në këtë punë duhet të impostohesh shumë. Ka momente që duhet të rrisim ose të ulim zërin, ka momente që duhet të përshtatemi me personazhin”, shprehet Arbri.
“E ku ka më mirë se sa Arsen Lypenin, Batman, Supermenin, apo plot e plot të tjerë, duke përmendur këtu edhe Barnin e mrekullueshëm me këngët e tij, ju ta shihni në gjuhën tuaj, teksa ai flet, qan, edhe kjo një mënyrë të shprehuri është, apo edhe kur këndon në shqip”, thekson Erioni.
Filmat e animuar për fëmijë janë një pjesë e rëndësishme, që vënë në funksion industrinë e dublimeve në Shqipëri. Por, edhe filmat dokumentarë nuk bëjnë përjashtim. Agim Xheka, një ndër zërat narratorë më të spikatur, rrëfen se të dublosh, qoftë edhe për dokumentarët, është një eksperiencë e jashtëzakonshme.
“Nëpër dokumentarë duhet të kesh një lloj praktike, sepse shumë herë, kur na takojnë jashtë, fillojnë e flasin me superlativa. Por neve na është bërë shprehi, mendojmë që duhet ta realizojmë një herë apo dy herë tekstin e dokumentarit, përpara se ta regjistrojmë… Por jo, ne futemi direkt, lexojmë dy-tre fjalitë e para dhe pastaj futesh vet në brendinë e asaj që do të vijë më pas”, shprehet Agim Xheka.
“Zëri im në Digitalb ka kaluar shifrën e 5 mijë dokumentarëve, pa llogaritur ato të Top Channel, etj. Thjesht është një punë e jashtëzakonshme”, përfundon Xhelil Aliu. / Top Channel
faleminderit!