12 orë në fermë do të jetë një sfidë e re për personazhet e njohura të ekranit, që nuk janë mësuar shumë me punët e rënda të fshatit. Një format të tillë do ta prezantojë gazetari Ervin Kurti në “E Diell”, e cila do të titullohet “N’ fermë”.
Disa nga të ftuarit që do të jenë pjesë e kësaj sfide janë aktorja Marjana Konti, këngëtari Redon Makashi dhe këngëtarja Anxhela Peristeri. Nuk besojmë të keni imagjinuar personazhe të famshme të shndërrohen në fermerë, të mjelin lopët, apo të punojnë tokën? Epo tani duket se do e shijoni këtë mundësi. Ndërkaq, Ervin Kurti ishte i ftuar në studion e emisionit “Ftesë në 5”, ku zbuloi më shumë detaje rreth kësaj eksperience sprovuese.
“Kam mësuar shumë gjëra nga fshati, por është dhe shumë e lodhshme. Ky është një emision shumë ndryshe nga të tjerët. Do të jetë një rubrikë në “E Diell”. Preferova që personazhe të showbizz- it t’i çoja 12 orë në fermë. Mora Anxhela Peristerin në telefon dhe i thashë do shkojmë në fshat, tha “jo çfarë do bëj unë atje”, por pastaj më mori në telefon dhe tha “çfarë duhet të vesh unë?”.
Personazhet kanë bërë shumë punë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin se e rëndësishme është të jetojmë në komunitet. Edhe unë punoj vetë. Fermeri nuk pyet është diell apo shi, ata duhet të nxjerrin bukën e gojës. Jam munduar që gjithçka të jetë natyrale, ku ka dhe gabime. Nuk ka perfeksion dhe nuk mund të ketë, edhe në familjet normale”, tha ai.