Nga salla e Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë për të shpërblyer ekipin kampion të Tiranës.
Përfitues nga fondi i akorduar nga Bashkia e Tiranës nuk do të jenë vetëm 11 lojtarët që zbresin në fushë, por i gjithë ekipi i Tiranës, të cilët i bënë kryeqytetit dhuratën më të bukur në këtë 100-vjetor të themelimit të klubit, por edhe të shpalljes kryeqytet.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që kupa e Kampionatit, trofeu vazhdon dhe rri në Tiranë pas Partizanit vjet. Kjo është arsyeja pse i kam propozuar Këshillit Bashkiak që ne të japim një shpërblim 150 milionë lekë, që është ndoshta shpërblimi më i madh i dhënë ndonjëherë nga një Bashki për një trofe dhe për ekipin e futbollit ku Bashkia në fjalë është aksionere. Ky shpërblim do të shkojë për të gjithë skuadrën, jo vetëm për ata 11 që zbresin në fushë. Pavarësisht se është një ekip kryesor që del në fushë, ky është vendimi i parë me një urim të përzemërt për Tiranën. E di që shumë veta thoshin dje pse s’ka bërë urim Lali Eri si ca politikanë të tjerë, por politikanët e tjerë ndoshta fjalët i kanë të tepërta, kur flasim ne të bashkisë, urimet nuk bëhen me duart bosh, por me duart plot, teksa bëmë edhe një analizë me klubin se çfarë do të ishte një shpërblim i arsyeshëm”, theksoi Veliaj.