Muzeu kombëtar i Norvegjisë zbuloi sekretin që qëndron pas një mbishkrimi në pikturën origjinale të Edward Munch “The Scream”, një prej veprave të artit më të njohura në botë.
Dikush ka shkruar në norvegjisht “Mund të jetë pikturuar vetëm nga një i çmendur!” me laps në cepin e sipërm të majtë të veprës së famshme, e cila përfundoi më 1893.
“Është e lehtë të imagjinosh një vizitor të indinjuar, përballë “The Scream “, që merr një laps dhe që shpreh mendimin e tij si për veprën e artit ashtu dhe për krijuesin e saj”, shkruan sot Muzeu Kombëtar në faqen e tij të internetit.
Analiza të reja duke përdorur teknologjinë infra të kuqe kanë zbuluar që vetë Munch i kishte shkruar këto fjalë.
Gjatë punimeve për mirëmbajtje pas mbylljes së muzeut, piktura u ekzaminua në mënyrë të thellë në kuadër të rihapjes në 2022.
Studiuesit theksuan se kishin vërtetuar pa dyshim se shkrimi korrespondonte me atë të artistit.
Ekspozita e Munch për “The Scream” i bëri bashkëmoshatarët e tij të vinin në dyshim shëndetin e tij mendor në atë kohë.
“Mbishkrimi mund të lexohet si një koment ironik, por në të njëjtën kohë si një shprehje e cenueshmërisë së artistit. Shkrimi në pikturën e përfunduar tregon se krijimi për Munch ishte një proces i vazhdueshëm”, theksoi Mai Britt Guleng, kurator në Muzeun Kombëtar.
Munch ka pikturuar katër versione të “The Scream”. Versionet më të njohura përfshijnë origjinalin e lartpërmendur dhe një pikturë të mëvonshme në 1910.