Konkursi i muzikës klasike “Virtuozët”, i cili do të sjellë pranë ekranit shqiptar sopranon e njohur Inva Mula në rolin e moderatores, do të nisë pas një muaji. Më 11 shkurt, në ekranin e Tv Klan do të nisë spektakli, pjesë e të cilit do të jenë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët e talentuar në muzikën klasike. Siç shkruan Tv Klan, programi, i pari në llojin e tij në ekranet shqiptare, do të zgjasë plot 10 javë.
Protagonistë të këtij formati janë të gjithë fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 18-vjeçare, që kanë talent në kanto, balet dhe instrumentistë të zhanrit klasik. Pjesëmarrës në këtë talent show do të jenë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Konkurrentët shoqërohen nga orkestra filarmonike “Ibrahim Madhi” e Akademisë së Arteve nën drejtimin e maestrove Suzana Turku dhe Gerard Akoka.