Kur u pyetën pse u fshinë këngët pjesëmarrëse në “Festivalin e Këngës” nga YouTube, RTSH u prononcua për Anabel dhe tha se bëhet fjalë për një problem teknik, që do të rregullohet së shpejti. Dy ditët e fundit, RTSH dhe Albautor, që merret me të drejtat e autorëve dhe pronësinë intelektuale janë përfshirë në një konflikt publik që ia hedh fajin një herë njërit dhe një herë tjetrit.
Albautor, përmes një postimi në Facebook, thotë se “Radio Televizioni Shqiptar në mënyrë sistematike abuzon me të drejtat e krijuesve[…] YouTube, ka vendosur të bllokojë kanalin e RTSH që transmetonte veprat pronë e krijuesve shqiptarë në shkelje të ligjit. RTSH mjafton të argumentojë përpara YouTube që paguan të drejtën e autorit dhe që është korrekte me ligjin dhe nuk do të ketë më asnjë problem.”
Më pas, deklarata vijon: “Deklarimi se Albautor apo S.U.A.D.A i ka bllokuar kanalin RTSH-së (ku administrator i rrjetit është YouTube dhe jo Albautor) është qesharak dhe disinformues. Duhet t’i kujtojmë të ‘paditurve’ se: ‘Pronari i një vepre artistike është vetëm autori! Nuk ka të dytë! Të gjithë të tjerët, si radiot apo televizionet, janë thjesht shfrytëzues të të drejtave. Ky është ligji, ky është gjyqi, kjo është e drejta!”
Deklarata e Albautor vjen pas një njoftimi të RTSH-së ku shkruhet se “këngët nuk janë hequr nga RTSH për arsye teknike, por YouTube ka mbyllur kanalin si pasojë e sulmeve të pandërprera të njëpasnjëshme të kryera nga Qendra ‘Suada’ dhe agjencia ‘Albautor’ ndaj shumë videove të këngëve nga festivalet e këngës në RTSH ndër vite, të publikuara në kanalin kryesor të RTSH në YouTube.”
Sipas RTSH, ‘Qendra Suada’ dhe agjencia ‘Albautor’ “në kundërshtim me ligjin dhe në abuzim me kompetencat që ka dhënë ligji, kanë deklaruar pranë YouTube të drejta, të cilat zotërohen në formë ekskluzive nga RTSH.”
RTSH premton marrjen e hapave ligjorë kundrejt subjekteve që kanë dëmtuar interesat e tyre.
Këngët e festivalit u ripublikuan në kanalin e RTSH nga e para dhe prandaj kanë shifra shumë të ulëta shikueshmërie./anabel.al/