Qeveria Rama vendosi dy vite më parë mbylljen, por me një vendim të miratuar me datë 2 shtator i jep ok hapjes dhe ushtrimit të aktivitetit. Vendimi u publikua sot në fletoren zyrtare dhe në të përcaktohet se qendra e Tiranës do jetë zona ku do të pozicionohen kazinotë në kryeqytet.
Sipas kësaj VKM-je parashikohet se lojërat e fatit të tipit kazino do të pozicionohen brenda perimetrit të Rrugës së Barrikadave, ‘Urani Pano’, ‘Dedë Gjo Luli’, ‘Ibraim Rugova’, ‘Xhorxh Bush’ dhe Bulevardit ‘Zhan D’ark’.
Ky vendim shoqërohet me një tjetër që përcakton kriterin për të lejuar ushtrimin e lojërave të fatit të tipit kazino, por duhet të ketë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë dollarë.
Kryeministri Rama nuk ka dhënë ende një koment për rikthimin e këtij aktiviteti.
Për vendimin ka reaguar PD, që e quan shkelje të premtimit të dy viteve më parë të kryeministrit:
‘BE ka futur Shqipërine në listën gri për pastrimin e parave dhe ka nënvizuar lojrat e fatit si një nga mënyrat se si pastrohen paratë, Rama në nxitim e sipër, në muajt e fundit të qeverisjes së tij agonike, rikthen në lojë kazinotë në zemër të Shqipërisë, në qëndrën historike të Tiranës, shprehet në deklaratën e tij Ish-deputeti Dorjan Teliti.
Vendimi i plotë:
VENDIMI I QEVERISË PËR ZONAT E KAZINOVE: PËR PËRCAKTIMIN E ZONËS KU DO TË LEJOHET VENDOSJA E LOJËS SË FATIT, E KATEGORISË “KAZINO”, NË QYTETIN E TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 34, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Miratimin e zonës ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “Kazino”, në qytetin e Tiranës, sipas hartës që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe që ndodhet brenda kufizimeve të rrugëve, si më poshtë vijon: “Rruga: “Barrikadave”; Rruga: “Urani Pano”; Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh Ë. Bush””. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Erion Braçe
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË ZHVILLIMIT TË GARËS, KRITERET
SHTESË PËR APLIKANTËT QË KONKURROJNË PËR T’U PAJISUR ME LICENCË PËR KATEGORINË “KAZINO”, E PROCEDURA E SHPALLJES SË FITUESIT, SI DHE RASTET E REVOKIMIT APO TË PEZULLIMIT TE KËSAJ LICENCE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 36, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Ky vendim përcakton procedurat e zhvillimittë garës, kriteret shtesë për aplikantët që
konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino” e procedurën e shpalljes së
fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence. -
Kategoria e lojës së fatit “Kazino”, për qëllime të këtij vendimi, është një zonë e veçantë
për zhvillimin e lojërave të fatit, ku lojtarëve u ofrohet mundësia për të luajtur me mjetet e lojërave të fatit, si makina të tipit slot, video-lotari ose makina elektronike, me shumë lojtarë, si dhe tryeza loje të quajtura “lojëra live”. -
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në vijim “Autoriteti”, është autoriteti i autorizuar për pajisjen e subjekteve me licencë për kategorinë “Kazino”.
-
Fjalët dhe shprehjet e përdorura në këtë vendim do të kenë të njëjtin kuptim me atë të
dhënë në ligjin nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet e dala në zbatim të tij, përveçse kur konteksti e kërkon apo kur, në përputhje me kontekstin e dhënë, në këto akte përcaktohet shprehimisht ndryshe. -
Autoriteti do të konsiderojë të licencuarin si pikën e vetme të kontaktit lidhur me çështjet që lidhen me licencën e dhënë.
-
Në çdo rast, të transferimit të aksioneve të të licencuarit në kategorinë “Kazino” merret miratimi paraprak i Autoritetit.
KREU II APLIKIMI DHE FORMA E DOKUMENTEVE SHOQËRUESE
- Gara për dhënien e licencës për “Kazino”shpallet nga Autoriteti. Njoftimi për hapjen e garës për dhënie licencë për kategorinë e lojës së fatit “Kazino” shpallet nga Autoriteti, i cili ka detyrimin të publikojë njoftimin për konkurrim në lojërat e fatit për kategorinë “Kazino”, në faqen e saj zyrtare të internetit, në dy gazeta, që botohen në vendin tonë, në dy numra radhazi, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike.
Njoftimi duhet të përmbajë:
a) vendin, datën dhe orën e paraqitjes së
dokumenteve;
b) gjuhën e paraqitjes së dokumenteve;
c) mënyrën e paraqitjes së dokumenteve;
ç) vendin, orën dhe datën e shqyrtimit të
dokumenteve.
- Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim dhe nga çdo dokument apo informacion tjetër, të cilin Autoriteti e gjykon të nevojshëm t’ia kërkojë aplikantit gjatë shqyrtimit të aplikimit për pajisjen me licencë në kategorinë “Kazino”.
Aplikimi kryhet me dorëzimin e kërkesës për pajisje me licencë pranë Autoritetit, së cilës i bashkëlidhen dokumentet shoqëruese, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar sipas formaliteteve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës në fuqi.
Dokumentet shoqëruese, ku përfshihet edhe e gjithë korrespondenca, dhe dokumentet për këtë aplikim duhet të jenë në gjuhën shqipe. Aplikanti mund të depozitojë edhe dokumente në gjuhë të huaj, të shoqëruara me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe. Aktet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare,
të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Aplikuesi do të përballojë të gjitha kostot, në lidhje me përgatitjen dhe dorëzimin e aplikimit, duke përfshirë, ndër të tjera, të gjitha kostot dhe shpenzimet, në lidhje me përgatitjen e përgjigjeve të pyetjeve apo kërkesave për sqarime a takime të Autoritetit.
KREU III KUSHTET, KËRKESAT TEKNIKE DHE DOKUMENTACIONI PËR PAJISJEN ME LICENCË PËR KATEGORINË “KAZINO”
- Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendës ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Kazino”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:
a) të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati, sipas llojit të lojës që kërkohet;
b) shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë;
c) të deklarohet burimi i kapitalit, që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e “Kazinosë”;
ç) të kenë përvojë në fushën e lojërave të fatit;
d) të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhebesueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla;
dh) të paraqesë garancinë pasurore, së bashku me aplikimin dhe me kushtet e sekuestrimit të kësaj garancie;
e) të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit;
ë) të ngrejë serverin, në të cilin do të japë informacion të plotë mbi çdo transaksion që do të kryhet midis subjektit dhe lojtarëve, xhiron dhe fitimin, si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga AMLF-ja në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti. AMLF-ja do të ketë akses në kohë reale te ky server.
- Për të vërtetuar plotësimin e kërkesave të parashikuara në pikën 1, të kreut III, të këtij vendimi, aplikuesi duhet të paraqesë përpara Autoritetit dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kopje të noterizuar të certifikatës së regjistrimit me numrin unik të identifikimit të
aplikuesit.
b) Statutin e shoqërisë dhe/ose aktin e themelimit.
c) Ekstrakt historik për të dhënat e subjektit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku të vërtetohet se shoqëria është në status aktiv.
ç) Aplikuesi ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të aplikuesit, që ka përvojë në fushën e lojërave të fatit, paraqet një listë të veprimtarive në fushën e lojërave të fatit, të shoqëruar me autorizimet, miratimet, licencat apo lejet, në bazë të të cilave i ushtron këto veprimtari.
d) Aplikuesi dhe aksionarët duhet të paraqesin dokumentacion për të vërtetuar origjinën e kapitaleve të tyre, të cilat do të investohen për ushtrimin e veprimtarisë.
dh) Vërtetim nga një institucion bankar, për të garantuar se subjekti ka kapacitetet e duhura financiare për të përmbushur detyrimet e garancisë pasurore, në favor të ministrisë përgjegjëse për financat dhe AMLF-së, në përputhje me nenet 19, pika 3, shkronja “e”, dhe 47, pikat 1 e 2, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
e) Aksionarët e shoqërisë, kur këta të fundit janë persona juridikë, duhet të paraqesin aktet e themelimit dhe statutet e tyre, së bashku me certifikatën, nga organi që mban regjistrin tregtar në vend, ku të jenë evidentuar emrat e aksionarëve të tyre, pronarët përfitues dhe përqindja që ata zotërojnë në kompani, emrat e aksionarëve që zotërojnë të drejta të veçanta, emrat e anëtarëve të organeve drejtuese, si dhe të dhëna të tjera për organet drejtuese të tyre, në rast se kërkohet nga Autoriteti.
- Nëse aksionarët e subjektit aplikues janë individë, ata duhet të paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Vërtetimin se individi nuk është i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë dhe nuk është në ndjekje penale për vepra penale në fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskal dhe/ose doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale që kompromentojnë personin në nderin e personalitetin e tij.
b) Vërtetimin se individi nuk është në proces gjyqësor për vepra penale të parashikuara në shkronjën “a”, të kësaj pike.
Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
c) Vërtetimin nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor se individi nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera. Për vërtetimin e përmbushjes së kërkesave të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike, duhet të
depozitohen dëshmi penaliteti, vërtetime nga gjykata, që nuk është në proces gjyqësor, nga prokuroria, që nuk është në procedim penal, dhe nga shërbimi përmbarimor, që nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm.
ç) Aplikuesi duhet të paraqesë të dhëna financiare për kryerjen e biznesit të aksionarëve të aplikantit për 3 (tri) vitet e fundit.
d) Aplikuesi duhet të dorëzojë dokumente për aksionarët e shoqërisë dhe të përfaqësuesit të saj, informacion për organet drejtuese, dokumente ku të vërtetohet se subjekti aplikant është me status aktiv dhe i padënuar penalisht, vërtetim që subjekti nuk është në procedura falimentimi. Aplikuesi duhet të dorëzojë, gjithashtu, edhe vërtetimet e lëshuara nga organet kompetente, sipas juridiksionit territorial për subjektin, si më poshtë vijon:
i. se subjekti nuk është në ndjekje penale;
ii. se subjekti nuk është në gjykim për vepra penale;
iii. se subjekti nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera, nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor.
- Përveç sa më lart, duhet të dorëzohet dhe dokumentacioni, si më poshtë vijon:
a) Dëshmi penaliteti, të dorëzuar nga aplikanti/administratorët dhe aksionarët e
shoqërisë në momentin e aplikimit; vërtetime që nuk janë në proces gjyqësor apo që nuk janë dënuar penalisht me një vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskal dhe/apo doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që kompromentojnë personat në nderin e personalitetin e tyre. Në rastet kur aplikuesi, administratori apo aksionari janë persona fizikë/juridikë të huaj dhe këto dokumente/ vërtetime nuk lëshohen nga institucionet përkatëse të origjinës, atëherë mjafton një deklaratë me shkrim.
b) Një marrëveshje paraprake, të paktën me njërën nga bankat e nivelit të dytë, me seli në
territorin e Republikës së Shqipërisë, për arkëtimin, depozitimin dhe transferimin e pagesave.
c) Çdo informacion tjetër, të cilin Autoriteti i autorizuar e gjykon të nevojshëm t’ia kërkojë aplikantit për fushën e veprimtarisë në kategorinë “Kazino”.
ç) Përveç dokumentacionit të sipërcituar, aplikuesi duhet të paraqesë një vetëdeklarim se nuk është në ndjekje penale, si dhe një dokument që vërteton se subjekti aplikues ka shlyer:
– detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore;
– të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore.
d) Deklaratën e subjektit aplikues, me anë të së cilës subjekti merr përsipër dhe garanton
vërtetësinë e të dhënave dhe dokumenteve të paraqitura në dosje;
dh) Deklaratë që subjekti aplikues nuk rezulton debitor ndaj institucioneve shtetërore dhe ka shlyer detyrimet në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi;
e) Deklaratë se subjekti aplikues nuk ka në përbërjen e tij ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë ose anëtarë të organeve drejtuese të veta, individë apo persona që kanë qenë ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të lojërave të fatit që rezultojnë debitorë ndaj institucioneve shtetërore;
ë) Deklaratë që subjekti aplikues nuk ka ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë ose anëtarë të organeve drejtuese të veta, individë apo persona që kanë qenë ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të lojërave të fatit, që rezultojnë të dënuar penalisht me një vendim gjyqësor të formës së prerë, për veprat penale të parashikuara në ligjin nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e
Shqipërisë”, të ndryshuar;
f) Projektrregulloren e lojës, të hartuar sipas kërkesave të nenit 38, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
g) Përveç certifikatës së regjistrimit, që vërteton regjistrimin e subjektit, dokumentet që vërtetojnë kriteret e parashikuara në legjislacionin e lojërave të fatit dhe në këtë vendim duhet të jenë lëshuar/miratuar nga organet përkatëse, brenda 3(tre) muajve të fundit nga data e aplikimit.
- Autoriteti ka të drejtë të verifikojë çdo informacion dhe dokument të depozituar nga aplikuesi. Për këtë, aplikuesi përfshin në aplikimin e tij një autorizim, që autorizon Autoritetin për të bërë, pa asnjë kufizim, verifikimin e dokumentacionit dhe/ose të informacionit të dhënë në aplikim. Dështimi i aplikuesit për të dhënë një autorizim të tillë sjell refuzimin e aplikimit.
KREU IV KËRKESA TEKNIKE
- Subjekti aplikues duhet të paraqesë dokumente për kapacitetet organizative dhe administrative, si më poshtë vijon:
a) deklaratë për fuqinë mesatare punëtore dhe për numrin e stafit drejtues;
b) informacion për mjetet e pajisjet teknike që ka në dispozicion apo që mund t’i vihen në
dispozicion aplikuesit, për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga licenca;
c) informacion dhe të dhëna teknike për pajisjet elektronike që përdoren apo do të përdoren ng aplikanti, të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, me qëllim dhënien e aksesit AMLF-së në kohë reale në sistemin back office, për çdo transaksion që do të kryhet ndërmjet subjektit dhe lojtarëve, xhiron e fitimin, si dhe çdo
të dhënë që do të kërkohet nga Autoriteti.
- Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të aplikuesit duhet të provojë se ka eksperiencë në fushën e lojërave të fatit, duke paraqitur një informacion të detajuar për këtë eksperiencë, të shoqëruar edhe me një listë të licencave, kualifikimeve dhe stafit kryesor të tij, si dhe çdo dokument tjetër mbështetës që vlerësohet si i nevojshëm.
Subjekti aplikues duhet të dorëzojë listën e deklaratave, në lidhje me:
– softëare-in që përdor apo propozohen të
përdoren;
– modele të licencave dhe certifikatave SSL që përdor apo propozohen të përdoren;
– çdo standard apo certifikim të njohur ndërkombëtarisht ISO 9001, 27001 etj.
- Subjekti aplikues duhet të paraqesë pranë AMLF-së dokumente që i provojnë se pajisjet që do të përdorë për zhvillimin e lojërave në kazino janë të standardeve të kërkuara, sipas karakteristikave teknike të përcaktuara në nenet 42 dhe 43, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Sistemi duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm on-line nga AMLF-ja. Serveri në fjalë duhet të përmbushë të gjitha kushtet e nivelit të lartë të sigurisë të sistemeve mbrojtëse kundrejt ndërhyrjeve nga elemente të rrezikshme për dëmtimin e të dhënave dhe daljen jashtë pune të këtyre serverave.
Organizatori duhet të garantojë respektimin e parashikimeve të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, lidhur me monitorimin on-line nga Sistemi Qendror i Monitorimit On-line në momentin e funksionimit të tij.
KREU V PROCEDURA E LICENCIMIT
- Çdo aplikues duhet të përgatisë një kërkesë me shkrim pranë Autoritetit (AMLF), të shoqëruar me të gjithë dokumentacionin e kërkuar në këtë vendim.
Dokumentacioni duhet të dorëzohet në dy kopje (origjinale dhe fotokopje).
Aplikuesi, që kërkon sqarime për kushtet dhe kërkesat teknike të parashikuara në ligjin për lojërat e fatit, aktet nënligjore në zbatim të tij apo këtë vendim, mund ta njoftojë me shkrim Autoritetin. Autoriteti merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga aplikuesi dhe i kthen përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës.
Autoriteti njofton subjektin lidhur me çdo kërkesë që mund të ketë apo dokumentacion
shtesë, që e gjykon si të nevojshëm. Ai mund të thërrasë aplikantin për informacion më të detajuar.
Autoriteti merr dosjen në shqyrtim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e depozitimit të dokumentacionit. Ky afat nuk mund të zgjatet më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike.
Autoriteti njofton, me shkrim, aplikuesin për pranimin ose refuzimin e aplikimit brenda afatit të parashikuar më sipër.
Në rast refuzimi, aplikuesi ka të drejtë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data që ka marrë njoftim apo nga data kur ka marrë dijeni për njoftimin e refuzimit, të bëjë ankesë te ministri përgjegjës për financat, i cili duhet të kthejë përgjigje brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së ankimit. Vendimi i ministrit është përfundimtar nga ana
administrative.
Në rast të pranimit të aplikimit, AMLF-ja informon subjektin për miratimin e kërkesës për licencim dhe fton aplikuesin, të:
a) paguajë tarifën, sipas përcaktimeve të udhëzimit përkatës, të ministrit të Financave, “Për mënyrën dhe afatet për kryerjen e pagesës së tarifës së licencimit për secilën kategori të lojërave të fatit”;
b) bëjë ngurtësimin e fondit të garancisë për fituesin e lojërave të fatit, si dhe të fondit të
garancisë për shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj institucioneve shtetërore, sipas përcaktimeve të nenit 47, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
KREU VI PEZULLIMI APO HEQJA E LICENCËS
Mosngurtësimi i fondeve të garancisë apo mospagesa e tarifës përbën shkak për pezullimin dhe/apo heqjen e licencës nga AMLF-ja.
KREU VII DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren
Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Erion Braçe