Policia e Shkodrës bën të ditur se është zbardhur ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 04.06.2020, ku mbeti i plagosur shtetasi V. K, si dhe është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Gjithashtu, uniformat blu bëjnë të ditur se është vënë në pranga edhe 27-vjeçari që mbeti i plagosur, pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, si dhe një një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, kanë vijuar punën intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 04.06.200, ku u plagos me armë zjarri shtetasi V. K., 27 vjeç.
Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale të bërë nga strukturat e Policisë u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit R. Z. 30 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Gjithashtu është bërë ndalimi i shtetasit V. K., 27 vjeç, banues në fshatin Boriç i Vogël, Malësi e Madhe, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, i cili ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, pasi kishte dalë me leje të posaçme për efekt të COVID-19.
Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit E. D., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se kjo ngjarje ka ndodhur për motive të dobëta.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.