Largimi i tyre nga shtëpia, vetëm një ditë pas natës së ndërrimit të viteve bëri bujë kudo në media. Por, pas gjetjes së dy 16-vjeçareve ditën e djeshme në Përmet, të tjera detaje kanë dalë në dritë duke zbardhur kështu edhe motivet e ngjarjes së rëndë.
Kështu, sipas dëshmisë së tyre, vajzat janë larguar me dëshirë nga shtëpia e prindërve sepse kanë dashur t’iu japin një mësim atyre.
Kejsi Ahmetaj dhe Moina Hajdaraj janë gjetur në një hotel në Përmet, por ato thonë se askush nuk i ka detyruar të largoheshin nga shtëpia.
“Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve. U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve.
Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetëra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë”.