YouTube ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vijë me një risi në aplikacion. Kompania ka menduar që të heqë numrin e personave që nuk e kanë pëlqyer videon e publikuar në aplikacion.
Testimi i fshehjes së numrit të “dislike” në YouTube është kryer me sukses, kështu që ky ndryshim do të aplikohet në mbarë botën në këtë platformë. Butoni për “mos pëlqim” akoma do të ekzistojë, por numri i klikimeve në të do të jetë privat, përkatësisht, do t’i shohi vetëm pronari i kanalit në YouTube.
Megjithatë “mos pëlqimet” akoma do të ndikojnë në sugjerimet e videos. YouTube ka konstatuar se disa persona duke u bazuar në numër të “like” dhe “dislike” kanë vendosur nëse do të shikojnë videon, duke vendosur kështu të fshehin këtë numër me qëllim që të ndihmohet komuniteti. Krijuesit e rinj dhe të vegjël në këtë platformë janë shpesh në qendër të “dislike”, e gjatë periudhës testuese kjo është zvogëluar dukshëm.
Rikujtojmë se, së fundmi, YouTube ka bërë me dije se që nga fillimi i pandemisë ka hequr më shumë se një milion video që përmbanin “dezinformacion të rrezikshëm mbi koronavirusin”, Deklarata nga platforma në pronësi të kompanisë Google vjen ndërsa platformat e medias sociale po kritikohen nga udhëheqës politikë se kanë dështuar të ndalin përhapjen e informacionit të rreme e të dëmshëm në lidhje me virusin e tema të tjera.
YouTube tha në një postim në blog se e ka mbështetur vendimin tek “qëndrimet për të cilat bien dakord ekspertët e organizatave shëndetësore”, përfshirë Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por vuri në dukje se në disa raste, “dezinformatat janë më pak të qarta të kuptohen”, me daljen e fakteve të reja.