Ylli Ndroqi, ka reaguar sërish, në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së tij nga SPAK. Ndroqi shprehet se ka një tentativë për të sekuestruar arkivin e televizionit të tij dhe se këtë gjë e ka zbuluar dhe denoncuar Sali Berisha.
Ai bën thirrje që drejtësia të mos ndikohet nga politika dhe paralajmëron “surpriza” në ditët në vijim.
Reagimi i plotë i Ylli Ndroqit:
“Muaji gusht duhej t’i dedikohej pushimeve dhe çlodhjes pranë familjes dhe të afërmve, por tashmë e dini, se ata, që “kujdesen” për prapaskenat ndaj Ora News nuk ndalojnë. E për hedhjen dritë mbi disa prej tyre, falënderoj Doktor Berishën për publikimin e nismës më të re që po përgatitet nga Ministria e Brendshme për sekuestrimin e arkivës së televizionit tonë!
Ju siguroj se askush nuk mund të vërë dorë mbi historinë 14 vjeçare, mbi të thënat e të pathënat e më shumë se një dekade.
Jo vetëm, por askush nuk mund të ndalojë suprizat, që do të vijnë…edhe pak, durim!
Ashtu siç kam kërkuar ndaj gazetarëve t’i qëndrojnë larg ndikimit politik në raportimet në ekran, edhe drejtësisë i bëj thirrje, që politikën ta mbajë larg hetimit për këtë televizion. Gjithashtu e inkurajoj për hetim të plotë dhe të thelluar, por larg çdo ndikimi nga funksionarë, apo rryma politike.
Për stafin e të dy televizioneve kam vetëm një mesazh, vazhdoni me guxim, sezoni i ri po vjen dhe kam bindjen, duke njohur talentin e profesionalizmin tuaj se do të jeni edhe më të fuqishëm e të përkushtuar. Edhe pse nga larg jam me ju, ashtu siç kam qenë në gjithë këto vite.
Për ata që menduan se RTV Ora dhe Ora News do të nënshtroheshe, dëshmuat se dini të jeni profesionistë dhe keni kurajon të publikoni të vërtetat. Ndërsa miqtë e mi i siguroj se e vërteta e kësaj historie do të dalë shpejt dhe bashkë me të dhe shumë të tjera!
Javë të mbarë e të qetë. Shihemi pas pak ditësh!”, shkruan Ndroqi.