Spektakli më i ri dedikuar talenteve shqiptare të diasporës, “Yjet shqiptarë të diasporës”, është gati për të nisur rrugëtimin e tij të ri. Pas një pune intensive njëvjeçare, ky projekt i mbështetur nga Fondacioni Dritan Hoxha dhe Top Channel do të fillojë regjistrimet nga 21 shtatori në Itali, duke u ndalur më pas në Gjermani dhe vendet e tjera ku diaspora shqiptare ka një prani të fuqishme.
Për herë të parë në historinë e televizioneve shqiptare, një spektakël talentesh do të xhirohet jashtë kufijve shqiptarë, duke promovuar yjet e diasporës dhe vlerat artistike kuqezi në të gjithë Europën dhe Ballkanin. Projekti synon të zbulojë dhe promovojë talentet shqiptare në të gjitha fushat e artit skenik, përfshirë kërcimin, interpretimin, këngën, aktrimin dhe moderimin, për një grupmoshë nga 14 deri në 30 vjeç.
Në moderimin e Ilir Shaqirit dhe me bashkëpunimin e Ledja Likut, ky program emocionues pritet të debutojë në muajin janar 2025, me finalen e madhe që do të zhvillohet në Top Channel, Tiranë. Ky talent show premton të jetë një eksperiencë gjithëpërfshirëse dhe emocionuese për publikun dhe konkurrentët e tij.
Interesi për pjesëmarrje është i lartë, dhe aplikimet janë ende të hapura, duke ofruar mundësinë për shqiptarët e diasporës të tregojnë talentin e tyre në këtë platformë gjigante. Ilir Shaqiri thekson se ky është një shans unik që nuk duhet humbur.
Spektakli fillon më 21 shtator në Romë, dhe vazhdon më 5-6 tetor në Dortmund, Gjermani, me planifikim për të përfshirë edhe vende të tjera të Europës.