“Yjet e së ardhmes” është një film që jo vetëm mbledh rreth vetes aktorët më të mirë të ekranit shqiptar, por është një film që transmeton shumë shpresë, një ndjenjë që na duhet për festa.
Regjisori dhe producenti Edmond Topi thotë: “Kjo ishte edhe njëra nga arsyet pse filmi është bërë në këtë këndvështrim. Kinemaja është një gjë pothuajse e pazakontë për ne. Njerëzit kanë harruar të shkojnë në kinema. Mesa duket, presin të dalë filmi në “smartphone” i piratuar. Ky film nuk do të dalë. Unë shpresoj që njerëzit t’i kthehen kinemasë e ta shijojnë këtë film”.
Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar e Gazmend Paja janë disa nga artistët me lojën e të cilëve përçohet mesazhi se edhe në moshën e dytë apo të tretë mund t’ia dalësh të bësh ëndrrën realitet.
“Njeriu në çdo kohë mund të gjenerojë vlera. Aq më tepër ne që kemi një vijueshmëri të kontinuitetit të brezave, shumë nevojë të kapemi pas këtij brezi, pavarësisht një periudhë diktatoriale që kemi kaluar, shoqëritë brenda vetes kanë një mekanizëm që prodhojnë vlera”, shprehet Topi.
“Yjet e së ardhmes” do të vijojë të shfaqet edhe për javën në vijim vetëm në kinema “Agimi”, pjesë e rrjetit “Imperial”.
Top Channel