Programacionit të Tv Klan nga 15 tetori do i shtohet një nga serialet më të ndjekur turk
“Xhesuri dhe e bukura” i cili do të rikthejë në ekran dy aktorët shumë të dashur Kivanç
Tatlitug dhe Tuba Buyukustun.
Në fillim të muajit Janar, ju informuam ekskluzivisht se Televizioni Klan është interesuar për sigurimin e të drejtës së transmetimit për një ndër serialet më të ndjekur në Turqi, Cesur Ve Guzel një prodhim i AyYapim, i përshtatur në shqip si Xhesuri dhe e Bukura.
Tahsin është kreu i familjes Korludag, pasuria dhe influenca e madhe në shoqëri bën që të gjithë t’a kenë frikë dhe t’a respektojnë. Nuk ekziston një vend apo person në qytet të cilin ai nuk e kontrollon. Ai është baba i dy fëmijëve; i biri Korhan është zhgënjim total për të atin; Tahsin do shumë Syhan (Tuba Buyukustun), vajzën e tij të zgjuar dhe të bukur.
Bashkëshortja e Korhanit rreket pa sukses të ngelet shtatzënë. Ajo shkon deri aty sa tenton të vrasë kunatën e saj, Syhan, nga frika se mos ajo lind para saj trashëgimtarin e familjes.
Mirëpo planet e saj djallëzore dështojnë kur një i huaj, i pashëm dhe i çuditshëm, futet në histori duke shpëtuar jetën e Syhan.
Shpejt ai bëhet i dashuri i Syhan (e cila po shtynte një fejesë pa dashuri) dhe zë vendin e djalit për të cilin Tahsin gjithmonë ka ëndërruar. Por, ajo që askush nuk di është se hakmarrja (ndaj Tahsinit) qarkullon në venat e Xhesurit (Kivanc Tatlitug) dhe shfaqja e tij nuk ishte aspak rastësi.