Grupi i njohur suedez, “MadMan’s Choice” ka publikuar ditën e djeshme një projekt të veçantë muzikor, një “remake” të këngës së njohur shqiptare “Xhamadani Vija Vija”.
Në përshkrimin e tyre në “Youtube”, artistët e rrokut alternativ e cilësojnë këtë projekt si një dhuratë të vogël për Kosovën e bukur, ndërkohë që publikimi i saj më 28 Nëntor duket si një dhuratë për të gjithë shqiptarët në Ditën e Pavarësisë.
“Ky projekt është një mënyrë për të treguar vlerësimin tonë për njerëzit e mirë dhe Kosovën e bukur. Puna në këtë projekt ishte përvojë shumë argëtuese dhe e paharrueshme. Dy vjet më parë ne ishim të ftuar të performojmë në “Hardh Fest” në Rahovec, Kosovë. Para koncertit vendosëm të provonim një këngë shqiptare si një dhuratë për publikun. Përgjigja ishte jashtë kësaj bote. Kjo çoi në disa bashkëpunime me Bujar Berishën, Florent Boshnjakun dhe Berat Keqekolla. Kështu që ideja për të bërë një video për këngën “Xhamadani”, erdhi natyrshëm. Sapo ta kalojmë këtë situatë Covid-19 ne shpresojmë që njerëzit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm si një nga të drejtat themelore të njeriut”– shkruan “MadMan’s Choice”.
Duket se ky version i këngës është pëlqyer, duke parë edhe komentet pozitive që ka marrë deri më tani, sidomos për faktin që kanë zgjedhur që të këndojnë në shqip.