Hetimet janë ende në vijim për vrasjen që ndodhi gjatë mesnatës së sotme në Top Channel, aty ku mbeti i vdekur roja i sigurisë, Pal Kola.
Deri më tani janë gjetur prova të vlefshme, të cilat janë përcjellë në laboratorin shkencor dhe pritet të nxjerrin profile ADN-je dhe shenjë gishtash të cilat do të verifikohen nga databasat e policisë për të zbuluar nëse mund të ketë një emër për sulmin ndaj Top Medias.
Aktualisht janë disa persona të shoqëruar si të dyshuar, që janë mbajtur në drejtoritë vendore e më pas janë përcjellë në policinë e Tiranës, ku i është bërë një ekzaminim për faktorë plotësues në duar për të parë nëse kanë qëlluar me armë zjarri. Pamjet e kamerave të sigurisë dhe itinerari që kanë ndjekur autorët deri në “Përroin e Agait” ku braktisën mjetin dhe i vunë flakën dhe në brendësi lanë dy kallashnikovët, pritet të jenë në fokus të hetimeve të grupit hetimor.
Çfarë ndodhi një natë më parë?
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip ‘Range Rover’ me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit. Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend. Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët u gjetën duke u djegur. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende./
Marrë nga dosja.al