Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi mbrëmjen e sotme vrasjen e Azem Hajdarit më 12 shtator 1998, si ngjarjen më të rëndë terroriste politike.
Në emisionin Opinion, Berisha tha se ata që humbën pushtetin e tyre terrorist në Shqipëri, qëndrojnë pas atentatit ndaj Hajdarit.
“Nuk jam thirrur asnjëherë nga gjykata dhe as nga prokuroria lidhur me këtë çështje. Nuk kam marrë asnjëherë në jetën time fletë-thirrje, nuk ka asnjë organ që të vërtetojë të kundërtën e kësaj që po them unë.
Fatos Klosi dhe ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, bënin skupe, por nuk më thërrisnin dot. E para do i bëja pretencë politike dhe e dyta unë nuk isha dëshmitar okular. Së treti, vetëm në harkun 12 orë në atë ditë unë kam bërë 3 konferenca shtypi, ku kam dhënë të gjitha informacionet që kisha. Nuk kam mbajtur, kam denoncuar publikisht çdo të dhënë, kam denoncuar publikisht vrasjen shtetërore”, tha Berisha.
Ai shtoi se Azem Hajdari ishte një nga personalitetet e rralla në politikën shqiptare.
“Çfarë ishte banda terroriste e Haklajve? Ishte një bandë shtetërore me spaleta: kapiten, major, etj. Vrasësit Haklaj morën komisariatin vetëm për tu hakmarrë ndaj regjimit që u përmbys. E vrau shteti Azem Hajdarin”, tha Berisha.
Referuar akuzave që ka bërë duke akuzuar Fatos Nanon, Skënder Gjinushin, Fatos Klosin, Berisha tha se “kemi pasur një informacion që vrasësit e Hajdarit kishin pritur në aeroport Fatos Nanon, që kthehej nga një udhëtim jashtë vendit. Ne i kemi ndjekur me degët tona vrasësit, nga Lapraka deri në Bajram Curri, nuk kishte asnjë postobllok që ti ndalonte. Na u tha se ishin njoftuar postoblloqet për ti ndaluar, por përkundrazi i nderonte policia gjatë rrugës”.
Berisha tha se u vërtetua më pas se Fatos Nano nuk kishte lidhje direkte me vrasësit e Azem Hajdarit.
“E kemi të provuar këtë për Nanon, por a kishte lidhje shefi i SHISH-it të asaj kohe, Fatos Klosi? Pse ia mbathi në Himarë të nesërmen, pasi rregulloi azilin e Fatosit në Maqedoni? Azem Hajdari u vra nga shteti. U përpoqën ta paraqesin si një sherrnajë, por familja e tij, rrethi i tij, nuk ka pasur as edhe një sherr me bandën e Hakljave. Azem Hajdari qëndroi politikisht kundër krimeve që bënte kjo bandë”, tha Berisha.