Një lëvizje anti-Basha ka nisur në shumë qytete të Shqipërisë. Grupe të ndryshme nga radhët e PD të pakënaqur me liderin e tyre kanë nisur punën për largimin e tij. Një erë e tillë më shumë se kudo po fryn edhe në Shkodër, të ashtëquajturin bastion i partisë demokratike.
Disa dokumente të zbuluara nga redaksia e “Shkodra News” faktojnë se një grup prej 4 personash të njohur si kundërshtar të Lulzim Bashës janë paguar nga kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi pa dalë pothuajse fare në punë. Të paktën kështu rezulton për 3 prej tyre. Ademi është ‘maskuar’ duke thënë se këta persona janë sjellë nga vetë Basha apo PD-ja e Tiranës në një kohë që prej kohësh i kishin shpallur ‘luftë’ kryetarit të përgjithshëm të demokratëve. Tashmë disponojmë edhe dokumentat përkatës dhe emrat e këtyre personave që janë paguar nga bashkia Shkodër pa dalë në punë.
I pari është një emër i njohur. Bëhet fjalë për Fabian Topollaj. Ky është personi që ka dizenjuar konkurset e famshme të bashkisë për të marrë njerëzit në punë në bashkinë Shkodër. Në atë kohë, në vitin 2015 Ademi ia ka shitur punonjësve të vet sikur Topollajn nuk e ka marrë vetë por ia ka këshilluar Basha. Në këtë lloj mënyrë Ademi i ka mbyllur gojën partisë së saj në Shkodër duke qenë se në atë kohë nga PD-ja e Shkodrës askush nuk kishte guximin t’i dilte kundër Lulzim Bashës. Ndryshe nga mënyra si e shiste kryebashkiakja Topollaj ishte një prej zërave që godiste drejtpërdrejtë Bashën pa asnjë lloj mëshire. Fabian Topollaj është paguar nga bashkia Shkodër si ekspert i jashtëm. Ai është nga Tirana dhe i tre-punësuar, pedagog tek fakulteti i drejtësisë, anëtar i këshillit bashkiak në Tiranë dhe ekspert në bashkinë Shkodër.
Topollaj është larguar nga kjo punë dhe kryebashkiakja Ademi për të mos e lënë të pakënaqur kundërshtarin e Bashës ka punësuar bashkëshorten e Topollaj, Eva Huli. Kjo e fundit ka filluar punë si sekretare e Ademit por s’ka dalë asnjë ditë në punë. Nje burim i tha ShkodraNews se Huli ka marrë rrogën nga Tirana si e si që kryebashkiakja të mos prish marrëdhëniet dhe lidhjet e saj me grupin anti-Basha sepse në jetë jemi dhe asnjëherë nuk i dihet. Oreksi i kryebashkiakes ka ardhur duke u rritur ndaj ka pranuar që të paguaj Evën edhe pse s’ka dalë në punë për të patur të sigurtë të ardhmen e saj çfarëdo që të ndodhë.
Julian Deda është komediani që është paguar si ekspert dhe anëtar në komisionet e vlerësimit për provimet me gojë për rekrutimet në bashkinë Shkodër në vitin 2016. Deda edhe pse i angazhuar me projektin e tij të humorit ka patur kohë për të qenë pjesë e këtij komisioni. Humoristi Deda edhe pse është i arsimuar në akademinë e arteve dhe nuk ka asnjë lidhje me persona që do duhej të punonin në pushetin vendor, është thirrur nga kryebashkiakja Ademi. Ashtu si çifti Topollaj-Huli edhe Deda është i rreshtuar në ‘ushtrinë’ anti-Basha me qëndrimet e tija publike.
Historia nuk mbyllet me kaq. Më pas ka ardhur në punë në bashkinë Shkodër Fatjon Bathorja, i panjohur në Shkodër por edhe më gjërë. I njejti burim i tha Shkodra News se ai s’ka dalë asnjë ditë në punë por askush nga administrata e bashkisë dhe PD-ja nuk dëgjohej sepse pretendohej se atë e ka sjellë PD-ja e Tiranës. Për të mos mjaftuar, Bathorja nisi punë kur u largua bashkëshortja e Topollaj, Eva Huli. Bathorja u emërua në vendin e saj si sekretar i kryetares Ademi. Edhe ky, ndonëse jo me peshën e tre të tjerëve po ashtu është një zë kundër Lulzim Bashës brenda familjes demokrate./ShkodraNews