Ish-prokurori, Adriatik Cama, është plagosur me armë zjarri mesditën e sotme në Tiranë.
Ngjarja raportohet ka ndodhur në lokalin “Trëndafili i bardhë”, pranë Gjykatës së Tiranës.
Cama, i cili prej shkarkimit të tij nga vettingu ushtronte detyrën e avokatit, ka qenë duke konsumuar një kafe me klientin e tij, Kudret Saliaj para një seancë gjyqësore ku ai do të ndahej me gruan.
Ora News mëson se ka qenë seanca e pestë e divorcit me gjyqtare Irena Plaku.
Për të ndjekur procesin kanë qenë edhe familjarë të gruas së Saliaj. Babai i kësaj të fundit, Mexhit Picari, ka qëlluar dhëndrin e tij dhe plumbat kanë marrë edhe avokatin Cama që ndodhej me të në tavolinë.
Efektivët kanë shoqëruar në komisariat një të mitur, i cili ka qenë dëshmitar në vendngjarje.
“Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën” njoftoi policia.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, Mexhit Picari.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes