Tashmë Vizion Plus do të sjelli një format të ri të satirës i ngjashëm me atë të “Fiks Fare” në Top Channel dhe “Stop” në TV Klan, por pa përfshirë pjesën e gazetarisë investigative.
Burime të IMAlbania.com bëjnë me dije se formati i titulluar “Fake Off” do të drejtohet nga dy ikona të humorit shqiptar, Agron Llakaj dhe Xhevahir Zeneli. Me synim satirën për zhvillimet e ndryshme në jetën politike, “Fake Off” është shfaqur dhe disa herë në “Al Pazar”, që mesa duket ka shërbyer si një provë finale për të qënë pjesë e përditëshmërisë së ekranit.
Programi do të përfshijë “Vox Pop”, Video, Batuta dhe Foton e ditës si dhe lajmin kryesor të ditës, pra një edicion post-informativ në formën e shakasë dhe humorit.
InfoMedia Albania mëson se premiera e programit do të vijë për herë të parë në programacionin festiv të 31 Dhjetorit në Vizion Plus për t’u rikthyer sërish në Janar nga e Hëna në të Premte në orën 19.30 menjëherë pas edicionit informativ të lajmeve në këtë televizion.
Skenografia e programit duket se do jetë e ngjashme me atë të “Stop” dhe “Fiks Fare”, që përfshin moderatorin si dhe velinat. Një përafrim të programit mund të ndiqet dhe në videon më poshtë./IMALBANIA.COM/