Sërish probleme në “Vizion Plus”, dhe të prekur janë sërish punonjësit në këtë televizion kombëtar në Shqipëri.
Prej muajit Janar, kanë nisur sërish vonesat në dhënien e pagave mujore. Express mëson se gazetarët dhe punonjësit e tjerë në “Vizion Plus”, nuk kanë marrë rrogën e janarit dhe të shkurtit, ndërkohë që tashmë ka hyrë muaji mars.
Ashtu sikurse vijon të ndodhë rëndom në disa media, gazetarët paguhen me një pjesë të pagës dhënë dorazi dhe një pjesë në bankë për të shmangur tatimet në vlerë të madhe. Edhe në “Vizion Plus” funksionon një skemë e tillë. Gazetarët kanë marrë vetëm pjesën e rrogës në dorë për muajin janar, ndërkohë që pjesa e mbetur e pagës që marrin në bankë, nuk i ka kaluar.
Më fatkeqët janë punonjësit që të gjithë pagën e marrin në dorë. Atyre nuk i është dhënë asnjë lekë as për muajin janar. Pra, paga e fundit që kanë marrë nga “Vizion Plus”, vendi i tyre i punës, është ajo për muajin dhjetor.
Një problem të tillë “Vizion Plus” nuk e ka për herë të parë. Gazetarët janë prekur shumë herë nga vonesa e pagës për muaj të tërë. E ngjashme ishte edhe periudha e verës një vit më parë, ku punonjësit kishin kaluar tre muaj pa marrë rrogën.
Dhe ajo cka është më e cuditshme, është fakti se punonjësit nuk kanë ngritur zërin për këtë problem. Rreth një vit më parë, përmes denoncimit që mbërriti në Express për mos dhënien e pagave, punonjësit e këtij televizioni shpreheshin se në rast se ata flisnin hapur për shqetësimin e tyre u rrezikohej vendi i punës. Dhe sigurisht që për denoncimin në fjalë u kërkua ruajtja e anonimitetit.
Teksa paraqesin në ekran problemet që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, gazetarët në këtë rast janë krejt të pafuqishëm për të kërkuar të drejtën e tyre ligjore, atë të pagesës në fund të cdo muaji për punën e kryer. Dhe nuk është pak të kujtojmë vetëm detyrimet mujore ndaj shtetit që gazetarët duhet të shlyejnë, pa harruar edhe kreditë që ata mund të kenë.
Prej pak muajsh (në janar) Vizion Plus ka ndërruar drejtorin ekzekutiv, duke marrë Sokol Ballën pasi e larguan nga Top Channel. Por ndërsa kërkohen ndryshime dhe përmirësime në punën e gazetarëvee, situata financiare mbetet e njëjtë…problematike!
/Gazeta Express