Flet Fatos Risto, Drejtor i Programacionit në Vizion Plus
Duam apo s’duam, serialet turke mbeten në qendër të vëmendjes së audiencës shqiptare. Kjo ka bërë që televizionet shqiptare t’i kenë fokus të veçantë në përzgjedhjen e tyre. Fatos Risto, Drejtor i Programacionit në Vizion Plus, shprehet se përpos emisioneve të reja dhe riformatimit të atyre ekzistuese për të ardhur më pranë publikut, tashmë janë mbyllur kontratat edhe për pjesën e serialeve. Ai nënvizon se ka një tendencë të publikut për t’i shpëtuar “mbytjes” me politikë, duke kërkuar strehë aty ku e gjen të mundur, qoftë edhe te një serial.
Çfarë do të ketë këtë vit në ekranin tuaj, a ka programe të reja që shtohen? Po ato ekzistuese, a janë rishikuar?
Sezoni televiziv që ka nisur është i ndarë në dy pjesë. Në të parin, që vazhdon deri në ndërrimin e viteve, dominojnë prodhimet e Vizion Plus mbështetur në patenta ndërkombëtare. Për vetë suksesin në vite, risjellim “Nga e Para”, një program sa argëtues aq dhe human, që mbërthen para ekranit shqiptarët për vetë ndjeshmërinë që ka në dhurimin e shtëpive të reja, për shumë familje në nevojë.
Në përgatitjet e fundit është dhe “Këndoje këngën time”, një show i madh që do të dominojë prime-time e së enjtes, duke gozhduar para ekranit të Vizion Plus, shqiptarët kudo jetojnë. Formati ka sukses të garantuar, pasi është patentë ndërkombëtare e të famshmit “Sing my Song” dhe vjen si risi absolute në TV shqiptare. Këngëtarët VIP do të ndërthuren me zërat e rinj, talente në muzikë, duke konkurruar me ankthin emocionues të garës për fitore.
Një tjetër prodhim i suksesshëm është “Al Pazar”, i cili u sjell teleshikuesve çdo të shtunë në mbrëmje, humorin e spikatur që vetëm Agron Llakaj dhe ekipi i tij di ta sjellë, ashtu si e shijojnë shqiptarët, plot batuta pikante që më së shumti bazohen në realitetin politik dhe social në vend. “Al Pazar” vjen në këtë sezon të ri me një rifreskim dhe pasurim të kastit të aktorëve.
Mëngjesi i çdo dite është sa informues, aq dhe argëtues, për të gjithë teleshikuesit me “7 pa 5”. Po ashtu dhe “Vizioni i Pasdites” dhe “Next”. Këtë sezon, ato vijnë me risi në formë dhe përmbajtje, duke shtuar reportazhet nga fusha të ndryshme dhe lidhjet direkte. Nëse ndalemi te programi i pasdites, mund të themi se ai këtë sezon vjen tërësisht i ndryshuar dhe me rubrika të rifreskuara.
Nën prezantimin dinjitoz të Evi Reçit, te “Vizioni i Pasdites” gjejnë veten jo vetëm femrat mbi 40 vjeçe – sikundër është krijuar perceptimi për emisionet e pasdites në disa TV shqiptare – por edhe moshat më të reja, pasi do të arrijnë të njihen me këshilla praktike nga profesionistë të fushave, për gjëra me të cilat përballemi në jetën e përditshme. Për më tepër, një nga detyrat që i kemi vënë vetes është që të kemi kauza për të ndjekur dhe kjo vlen për të gjitha emisionet tona, sepse njerëzit janë shumë të ndjeshëm dhe problematikat sociale në Shqipëri janë shumë të forta. Vizion Plus, në vite, ka pasur programe që kanë prekur këto tema, ndaj kemi vendosur t’i rikthehemi edhe më shumë. Kurse për pjesën e dytë të sezonit, nga janari deri në fillim të verës, do të ofrojmë për shikuesit edhe dy programe të reja nën patenta ndërkombëtare.
Cilat janë disa nga blerjet e reja që keni bërë për këtë sezon të ri televiziv?
Aktualisht kemi kontrata me agjencitë më të mëdha distributore për formatet televizive. Janë nënshkruar kontratat me Endemol dhe BBC Worldwide.
Duke qenë se një pikë e fortë në programet tona me audiencë të lartë është transmetimi i serialeve, kemi nënshkruar kontrata të reja me Global Agency, ATV Distribution, Calinos, Medyapim. Nga ky muaj që ka nisur, do të gjejmë në prime-time, tre tituj shumë të suksesshëm. “Lot në Detin e Zi”, që nis nga e hëna 16 shtator, konsiderohet seriali fenomen në Turqi. Ky prodhim i 2018-2019, po vijon me xhirimet për sezonin e tretë dhe ka rrëmbyer audiencën më të lartë të shtatë viteve të fundit në vendin që e prodhon.
Për vetë faktin se serialet turke janë kthyer në trendy-n e kohës në Shqipëri dhe mbarë Europën, “Lot në Detin e Zi” bashkë me disa seriale të tjera që mund të ndiqen në Vizion Plus, po marrin një pjesë dominuese edhe në audiencën e Shqipërisë. “Familja e Madhe” po ashtu është serial kyç në Vizion Plus. Ai rikthehet këtë fillim tetori me sezonin e katërt, njëkohësisht me transmetimin në Turqi ku aktualisht ka nisur të prodhohet edhe sezoni i pestë që në kohë reale do të shfaqet në të dyja vendet në sajë të kontratës së Vizion Plus me prodhuesin e këtij seriali. Kujtojmë këtu faktin se “Familja e Madhe” po konsiderohet një serial fenomen, sepse përmbledh të gjithë emrat më të njohur të kinematografisë turke, duke u bërë pjesë e kastit në të gjitha sezonet, si dhe si të ftuar specialë në episodet e tij.
Po ashtu është mbyllur kontrata dhe për sezonin e tretë të serialit “Molla e ndaluar”, që korri audiencë të lartë në dy sezonet pararendëse. Një tjetër prime-time javor i kushtohet këtij seriali në Vizion Plus. Vjen dhe seriali më i ri “Motrat”, i cili po konsiderohet si një tjetër prodhim i ri i suksesshëm me një kast të jashtëzakonshëm aktorësh. Nuk heqim dorë as nga kinematografia botërore, sepse po finalizojmë kontratat me të famshmen “Universal Pictures” dhe “Lion Gates”. Qëllimi është të rikthejmë te teleshikuesi vëmendjen te filmat e shtëpive më të mëdha kinematografike në botë.
Si qëndron raporti prodhim-blerje në programacionin tuaj?
Ky raport mbështetet tek audienca, duke u përpjekur të ofrojmë atë që teleshikuesi kërkon. Falë ndërthurjes së prodhimeve tona, atyre nën patenta ndërkombëtare dhe blerjes së serialeve dhe filmave, kemi goditur në shenjë.
Të ndalemi tek audienca që ju pohuat se e keni shumë të rëndësishme në ndërtimin e programit tuaj. Si po orientohet ajo?
Ne e kemi testuar pjesën e audiencës në disa raste. Sezonin e kaluar në prime-time, në një rast specifik ku në televizione transmetoheshin emisione politike, ne vendosëm të transmetojmë një telenovelë turke. Sigurisht që titulli ishte shumë i mirë dhe kishte shikuesit e vet, por rezultati final ishte që mori audiencën e dy emisioneve kryesore politike në televizionet konkurrente. Ky konstatim dhe sondazhet që ne bëjmë rregullisht me teleshikuesit, po na forcon bindjen se shqiptarët nuk e preferojnë më si më parë politikën, por e shohin “të detyruar”, sepse kjo është ajo që iu ofrohet nga televizionet në fashën orare më të rëndësishme, atë të prime-time. Duke u nisur nga ky fakt, ne kemi ndërtuar dhe shtyllat e programacionit në Vizion Plus.
Si ka qenë interesi i biznesit për të reklamuar, ku preferojnë të jenë të pranishëm?
Realisht, të gjithë synojnë të kenë prani në prime-time dhe sigurisht orari zgjidhet sipas target-grupit që ata synojnë. Gjithsesi, kur ka fushata me qëllim “ndërtimin dhe fuqizimin e markës/produktit”, përpiqen që të futen tek të gjitha programet, periudha më të gjata dhe fasha orare më të gjera. E theksoj, gjithmonë në varësi të qëllimit të fushatës. Kur kompanitë dalin me oferta, ato sërish bëjnë një përzgjedhje të programeve dhe fashave orare. Nëse do të rendisnim programet më të kërkuara për reklamim, padyshim janë “Nga e Para”, “Al Pazar”, por ato ndiqen ngushtë nga serialet turke, duke u përshtatur me audiencën që ato garantojnë.