I pari spektakël në ekranet shqiptare që i dedikohet të talentuarve në muzikës dhe baletit klasik, i ndez dritat në Televizionin Klan, sonte në mbrëmje. “Virtuozët” janë 62. Ata konkurrojnë në tre gjini, kanto, balet dhe instrument. E Diela e parë konkurruese do të sjellë 10 të parët.
Inva Mula: “Nuk do të zhgënjeheni nga niveli artistik i këtyre të vegjëlve, janë profesionistë”.
Aftësitë e tyre në të kënduar, kërcyer dhe interpretuar do t’i gjykojnë profesionistë të secilës disiplinë konkurruese, sopranoja Mirjam Tola, pianisti dhe kompozitori Genc Tukiçi, balerina Ambeta Toromani, të tre të angazhuar artistikisht në Evropë.
Inva Mula: “Tre anëtarë që kanë dalë nga kjo shkollë dhe kanë nostalgjinë dhe respektin e shkollës shqiptare por nuk kanë këto lidhjet familjare, farefisnore, me mësuesit e tjerë, vijnë të çiltër, vijnë në një ambient që e shikojnë si për herë të parë. Nuk kemi vota, por vlerësime që do të jenë edhe mësime shumë të mira për konkurrentët”.
Repertori është përzgjedhur nga vetë konkurrentët. Muzika luhet nga një orkestër profesioniste nën dirigjimin e Suzana Turkut dhe francezitGerard Akoka. Çdo mbrëmje do të ketë fituesit e saj.
“Virtuozët” do të presin në skenë mysafirë, artistë të konfirmuar për virtuozitetin e tyre në skenat e njohura jashtë Shqipërisë, të identifikuar si përçuesit e denjë të kulturës tonë.
Inva Mula: “Përveç interpretimit ata do të thonë edhe një mesazh nga eksperienca e tyre, është një program jo vetëm argëtues por edhe edukativ, secili nga ne ka një mësim për të dhënë”.
Inva Mula bashkë me ekipin e saj është kujdesur që fëmijët të përcjellin brishtësinë, bukurinë dhe freskinë e moshës.
20:05 është takimi me “Virtuozët” nën skenarin e Pandi Laços dhe regjinë e Bledi Laços, përveç se drejtuesja artistike Inva Mula do të jetë edhe prezantuesja e rrugëtimit 10 javor të “Virtuozëve”.
Inva Mula: “Uroj që çdo të Dielë të ulen familjet dhe të shohin shembujt më të mirë të kësaj shoqërie sepse vetëm arti e çon shoqërinë përpara”.
Tv Klan