Që katër muaj tashmë, pandemia e coronavirus-it ka mbërthyer edhe vendin tonë. Teksa çdo ditë raportohet për numër të ri rastesh, edhe disa fytyra të njohura për vendin tonë u prekën nga virusi COVID-19, njofton Insajderi.
Vetëm së fundmi, aktori i njohur Florjan Binaj, ndau lajmin me ndjekësit e tij që kishte kaluar coronavirus-in. Rasti i tij nuk ishte i rëndë, meqenëse ai kishte thënë se nuk ka simptoma apo përkeqësim të shëndetit.
Një tjetër personazh simptomatik ishte edhe menaxheri i Baba Stars, Dekorim Sahiti. Para disa ditësh edhe ai ndau lajmin se kishte rezultuar negativ në teste që do të thotë se ai kishte kaluar virusin. Në postimin e tij në Facebook, ai i falënderoi të gjithë që u kujdesen për të, dhe bashkëshorten që i qëndroi afër duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e saj.
Një nga rastet më të para të raportuara pozitiv me COVID-19, ishte këngëtari i muzikës folklorike, Muharrem Sejdiu. Ai kishte rezultuar pozitiv për coronavirus së bashku me bashkëshorten tij. Por pas dy javësh këngëtari kishte ndarë lajmin se ai dhe bashkëshortja e tij kishin mposhtur virusin. E si shenje falënderimi, ai i kishte kushtuar edhe një këngë stafit mjekësor.
Një tjetër këngëtar i infektuar ishte edhe Jetmir Hyseni. Coronavirus-i kishte goditur shëndetin e tij, pasi kishte ndarë në Facebook, se po përjetonte ethe të rënda. Mirëpo me testimet e mëtejshme ai kishte rezultuar negativ, kështu duke e kaluar këtë sfidë të shëndetit.
Futbollisti i Kombëtares U21 të Kosovës, Valdrin Mustafa kishte pozitiv me koronavirus Covid-19. Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, gjendja e tij ishte e mirë dhe po karantinohej me gjithë familjen e tij në Sarbruken. Më pas ai kishte ndarë lajmin se kishte dalë negativ në testet e mëvonshme.