Referuar shkresës së datës 20 korrik 2015, të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, shoqëria “Agonset”, me administrator Maurizo De Renzis, ka një detyrim të papaguar në vlerën e 47.345.332 lekëve. Këto detyrime rrjedhin nga mospagimi i sigurimeve shoqërore dhe tatimi i të ardhurave personale të punonjësve.
Referuar këtij dokumenti, “Agonset”, e cila ka në pronësi televizonin Agon Channel, edhe pse i ka mbajtur punonjësve të saj nga paga vlerën e caktuar për sigurimet shoqërore dhe tatimen mbi të ardhurat personale, nuk i ka derdhur ato pranë arkës së shtetit.
Në shkresën e Drejtorisë së Tatimeve drejtuar Qendrës Kombëtare të Regjistrimit thuhet se nëpërmjet kësaj barre sigurie mbi titujt e pronësisë synohet të mos lejohet tjetërsimi i tyre, përfshirë blerjen e aksioneve, deri në shlyerjen e detyrimit tatimor nga ana e tatimpaguesit debitor.
Ndërkaq, në ngarkim të kompanisë “Agonset”, vetëm gjatë javëve të fundit nga Gjykata e Tiranës janë lëshuar dhe dy urdhëra ekzekutimi pas ankesave të dy subjekte të ndryshme, të cilat kanë kryer punime apo shërbime për këtë shoqëri, por nuk janë paguar, detyrime këto që arrijnë vlerën e 2 milionë e 500 mijë lekëve.
Marre nga Top Channel