Dikush e kishte pasion kërcimin dhe vendosi që të merrte pjesë në “Just Dance”, por në vend që të gjykohej mbi (pa)aftësitë e saj në kërcim, diskutimi kaloi në çështje delikate, personale, dhe tejkaloi në arrogancë dhe diskriminim me bazë moshe dhe gjinie.
Bela, 40 vjeç dhe kampione e gjimnastikës aerobike, u përball në një sfidë kërcimi me Herisën, një vajzë që duhet të jetë rreth dy dekada më e re se ajo në moshë; një përballje në të cilën Albi Nako, si anëtar i jurisë, e cilësoi 40-vjeçaren si “një personazh tipik i atyre filmave si Planeti i Majmunëve” para se ta pyeste për moshën. Referuar filmave fantastiko-shkencorë bazuar te “Planet of the Apes” e shkrimtarit francez Pierre Boulle, Nako e vendosi Belën në një pozitë inferioriteti përkrah pjesëmarrësve të tjerë që janë të rinj në moshë.
“Gjithsesi komplimente [për moshën],” vazhdoi ai. “Por unë mendoj që të garosh me këta të rinj, pa përjashtuar energjinë tënde, unë mendoj që je në një moshë që më mirë martohu dhe bëj fëmijë sesa të vazhdosh këtu.”
Vlerësimi i tij, bazuar te mosha, është i pavend përsa kohë që në nisje të programit u tha se asnjë prej konkurrentëve nuk vjen nga shkolla rigoroze, klasike të baletit, por puna dhe talenti i çoi në studiot e Top Channel. Thënë kjo, Albi Nako, si profesionist dhe njeri i fushës që më shumë se kushdo tjetër e di se forca dhe energjia e muskujve në kërcim, si në shumë profesione të tjera, varet edhe nga mosha, duhej të kishte treguar më kujdes me komentet. Pra, do të ishte më e hijshme që 40-vjeçarja të vlerësohej për energjinë e saj (pavarësisht moshës) dhe për faktin që (pavarësisht moshës) vendosi të ndiqte një ëndërr të hershme.
Megjithatë, juria shërben për të ndarë shapin nga sheqeri dhe nëse Nako mendon se 40-vjeçarja është në kushte inferioriteti vendosur në një “planet majmunësh”, patjetër që është mendimi i tij. Me fjalë të tjera, nëse ajo nuk di të kërcejë, nuk mund të favorizohet thjesht e vetëm nga mosha. Por mosha dhe zgjedhje personale si martesa dhe fëmijët nuk janë çështje për diskutim dhe këtu thellohet më tepër problemi.
Balerini dhe koreografi “i sugjeroi” – pa qenë nevoja – që ajo të martohej dhe bënte fëmijë, një koment që jo vetëm nuk i takon, por ngjason si ato frazat tipike të njerëzve të fisit kur dikush shkon afër të tridhjetave dhe nuk është martuar ende. Martesa dhe vendimi për të bërë fëmijë janë çështje delikate, komplekse dhe mbi të gjitha personale dhe Nako, 45 vjeç dhe pa fëmijë, duhet ta dijë këtë.
Sikur të mos mjaftonte fraza e thënë ndoshta pa të keq, por sidoqoftë e pavend, pyetjes ironike të 40-vjeçares, “Ti më thua mua pse nuk martohem dhe bëj fëmijë, po ti?”, Nako iu përgjigj me një koment akoma më të pahijshëm. “Ti mos më qaj hallin mua se unë e kam automatin tre-fazorsh, do bëj fëmijë edhe 80 vjeç. Në rregull? Po ti shih veten tënde,” ndjeu ai të nevojshme të nxirrte në pah se, me fjalë të tjera, biologjikisht meshkujt i kanë të gjitha kushtet për t’u bërë me fëmijë, qoftë edhe 80 vjeç.
Albi, një nga koreografët dhe balerinët më të mirë që kemi, është i njohur për komentet e tij të ashpra sepse kërkon perfeksionin, por kjo nuk e justifikon arrogancën e treguar në episodin e kësaj të diele ku komentet ishin shumë gjëra, përveç profesionale.