Paula Mehmetukaj është përfaqësuese e Shqipërisë në ‘Miss Universe’ që do të mbahet më datë 16 maj në Florida.
Por provat dhe përgatitjet kanë nisur prej ditësh dhe një video, atë më të bukurën, me kostumin kombëtar, Paula e ka publikuar në profilin e saj. Një punim i Enada At’Nikolla që mban emrin ‘Mbretëresha e tokës dhe qiellit’, njësoj si shqiponja. Sigurisht me motivet kombëtare dhe me të kuqen që përfaqëson flamurin shqiptar, Paula ka parakaluar në pasarelën e kompeticionit më të rëndësishëm të bukurisë në botë ku po konkuron mes më shumë se 70 konkurentesh.
Paula është 23 vjeç, dhe u zgjodh si fituese e ‘Miss Universe Albania’ në vitin 2020. Kompeticioni i rëndësishëm i bukurisë nuk u realizua vjet për shkak të pandemisë dhe edicioni i 69-të u vendos të mbahej më 16 maj.