Ngjarja e rëndë që tronditi vendin disa ditë më parë, ku një 15-vjeçare u përdhunua nga roja i shkollës në Babrru ka nxitur reagime të shumta në publik. Raste të tjera të abuzimit po bëhen publike, ndërsa së fundmi një i ri nga Korça i quajtur Danjel Hyseni ka denoncuar një mësues në gjimnazin “Faik Konica” që fuste duart tek djemtë e klasës. Ngjarja ka ndodhur rreth 14 vite më parë, por aty vazhdojnë të japin ende mësim disa prej atyre mësuesve.
“Jo vetëm gocave, por edhe çunave mund ti ketë ndodhur që janë përplasur me një sjellje pedofilie, por sidomos në shkolla, ne ndonjëherë nuk është se e kuptojmë. Mua më kujtohet një mësues i jonë në shkollën Faik Konica. Ne atëherë nuk është se e kuptonim dhe na dukej shaka. Shokët e mi të klasës do e kuptojnë për kë e kam fjalën që fuste dorën poshtë bluzave. Ne e dinim çfarë ishte duke bërë dhe bënim shaka me këtë gjë. Ne qeshnim dhe kënaqeshim sepse çunave u vinte nota të mira dhe duke qenë nxënës, mendonim ku e gjen të marrim nota dhe e kalonim me shaka. Me gocat kishte sjellje të kundërt dhe gocat talleshin me neve e na thonin, hë se e dini ku do përfundoni. Mirë ne se nuk e kuptonim çfarë ishte se ishim fëmijë po mësuesit pse nuk reagonin po heshtnin.”
Ndër të tjera në fund të mesazhit të tij i riu apelon që prindërit të qëndrojnë pranë fëmijëve pasi pedofilë në shkollat tona po vërtetohet që janë mësues, roje, pastrues.
“Ju lutem shikoni çdo sjellje të fëmijëve tuaj sepse në shkollat tona po vërtetohet që ka pedofil, janë mësues, roje, pastrues. Ju lutem qëndroni pranë fëmijëve, nuk është turp të flasësh për seksin. Në momentin që fut dorën dhe ka një sjellje të çuditshme, të vijë t’ju raportojë. Mësues, nëse ka raste, ju e dini shumë mirë, raportojini, vendoseni veten në vend të tyre dhe mendoni sikur fëmija juaj të abuzohet. Është trauma më e madhe që mund të kalojë. Mos vrisni fëmijërinë sepse Zoti do ju ndëshkojë”, thotë Danjeli.