Maturantët pasi kanë përfunduar provimin e Matematikës sot kanë vijuar për të 4-tën ditë protestën para Ministrisë së Arsimit.
Ata vijojnë të këmbëngulin për tezën e Gjuhë- Letërsisë duke mos kërkuar vetëm rishikim të pikëve por edhe teza pasi ishte abstrakte.
Sa i përket tezës së Matematikës maturantët për gazetaren e Neës24 Aurora Golemi kanë thënë se nuk kanë ankesa pasi ishte shumë i lehtë, ndryshe nga ai i Letërsisë.
‘’Arsyeja pse kemi dalë është përsëri ankesa për Letërsinë. Nuk kam ankesa për provimin e Matematikës. Lajm pozitiv ai i KOMSH, por përgjigjia nga Ministria ishte e pakënaqshme. Prandaj vijojmë protestën për të mbrojtur të drejtat tona.’’- tha një maturant.
‘’I matematikës ishte i thjeshtë, jo i vështirë si i Letërsisë. Kam dalë për provimin e Letërsisë pasi nuk më duket i drejtë. Nuk është çështja të rishikohen vetëm pikët por teza ishte abstrakte. Pyetje që kishin paqartësi. Alternativat ishin sinonime të njëra- tjetrës. Relativisht mirë kisha dalë por nuk bindem me atë skemë .’’- shtoi një maturante.