Ish deputeti demokrat Luçiano Boçi ka reaguar sërish për ndotjen që po i bëhet lumit Shkumbin por edhe më gjerë nga një biznes që është shumë afër kreut të qeverisë Rama.
“Askush nuk mund të shfrytëzojë “nderet” e as “punësimin”, për t’i hedhur banorët kundër njëri-tjetrit”, shkruan Boçi në një postim në faqen e tij në facebook.
“Sharjet e shtyra me zor, nuk lajnë dot ndotjen skandaloze që Rozafa e Ramës e Ballës i bën ambjentit ku ata jetojnë, lumit Shkumbin dhe Elbasanit”, shkruan ai.
Postimi i plotë i ish-deputetit:
NUK LAHET NDOTJA ME SHARJE
PO BIZNESIT, JO NDOTJES!
Banorët e Labinotit janë në të drejtën e tyre protestuese kundër ndotjes së zonës së tyre, kundër ndotjes së lumit Shkumbin vetëm 2 km larg pompave thithëse të ujësjellësit Elbasan dhe kundër grabitjes së pronës publike e private.
Ata janë pro biznesit, punësimit e zhvillimit të zonës, por kur këto bëhen ndershmërisht dhe në bashkëpunim me komunitetin.
Askush nuk mund të shfrytëzojë “nderet” e as “punësimin”, për t’i hedhur banorët kundër njëri-tjetrit.
Sharjet e shtyra me zor, nuk lajnë dot ndotjen skandaloze që Rozafa e Ramës e Ballës i bën ambjentit ku ata jetojnë, lumit Shkumbin dhe Elbasanit.
Një turp ky akoma më i madh se ndotja!
Aq më tepër “Prerësi i Druve”, ose më saktë “Dru me pre” Balla, nuk ka moral të akuzojë PD-në, pasi ajo ka qenë dhe është në mbrojtje të biznesit të ndershëm.
Ato që kanë falimentuar e shkatërruar biznesin sot, janë Rama, Balla & co.
Biznesi nuk është vetëm oligarki që grabit interesin publik, por “Dru me pre” Balla nuk e kupton dhe nuk do.
Pamjet e transmetuara, janë marrë nga grykderdhja e mbetjeve ndotëse në lumin Shkumbin.
Shihet qartë katastrofa dhe vetëm verbëria e Ballës, e pushtetit, e policisë dhe e organeve ligjzbatuese nuk e sheh.
Vepra penale që konsumohet çdo ditë, bashkë me ndotjen, nuk fshihen as pas fustaneve, as pas brohoritjeve të dhimbshme të detyruara.