Një nga momentet më të rëndësishme të jetës është pa dyshim, ardhja në jetë e një fëmije.
Gjatë kësaj periudhe, ku numri i lajmeve për “pritjet e ëmbla” duket sikur sa vjen e shtohet, po ju lëmë një koleksion të të gjithë artistëve shqiptarë, të cilët hodhën në këngë gjithë ndjesitë e tyre si prindër ose si prindër të ardhshëm.
- Ardit Gjebrea – Jon (1991)
“Jon” fitoi çmimin e parë në festivalin e 30 të këngës në RTSH me muzikë të Ardit Gjebreas dhe tekst të Zhuliana Jorganxhi. Kënga me tekstin rrënqethës flet për ardhjen në jetë të djalit të tij, si një shpresë gjatë kohërave të trazuara të Shqipërisë, në vitet ’90.
- Jonida Maliqi – Thesar pa emër (2011)
Kënga e Jonidës ishte pjesë e “Këngës Magjike”, në kohën kur këngëtarja ishte shtatzënë.
- Vedat Ademi – Vetëm ti (2013)
Kënga është një dedikim në 1-vjetorin e lindjes së djalit të tij.
- Noizy – Noku Vogël (2013)
Në vitin 2013, reperi Noizy publikoi këngën “Noku Vogël” dedikuar vajzës së tij, Leandrës. Ajo nuk është shpeshherë e pranishme në rrjetet sociale të reperit, prandaj gjatë kohës së publikimit kënga u prit me kureshtje nga të gjithë.
- Alban Skënderaj & Miriam Cani – Dhurata (2017)
Në vitin 2017, u publikua kënga me tekst dhe muzikë të Alban Skënderajt, një dedikim për vajzën e tij, Ameli. Miriam dhe Albani janë aktualisht prindër të dy fëmijëve, Amelisë dhe Duamit, i cili erdhi në jetë në janar të këtij viti.
- Anna & Ardit Gjebrea – Për ty (2017)
Në një nga netët e Këngës Magjike, Ardit Gjebrea ftoi në një duet, vajzën e tij, Anën, në një këngë kushtuar marrëdhënies babë e bijë. Teksti i këngës është shkruar nga Olti Curri, me muzikë të Ardit Gjebreas.
- Blerina Braka – Pritja e ëmbël (2018)
Blerina Braka solli si videoklip festën e mirëseardhjes së bebit, shoqëruar me një këngë dedikuar atij, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë këngëtarja.
- Visjan Ukcenaj – S’ka si ti (2019)
Visjan Ukcenaj, njihet më së shumti si aktor humori, por ai ka eksperimentuar disa herë edhe në muzikë. Një nga këngët e tij, “S’ka si ti”, është dedikim për të birin.
- Ledri Vula – Si baba (2020)
Pak kohë më parë, Ledi publikoi këngën “Si baba”, dedikuar vajzës që pret me Sara Hoxhën.
- Mozzik – Hana (2020)
Pak muaj më parë Mozzik publikoi këngën “Hana”, që mban emrin e vajzës së tij, nga marrëdhënia me Loredanën.