Institucionet që funksionojnë me urdhra të Edi Ramës kanë marrë një vendim të paprecedentë. Në mënyrë anti ligjore kërkojnë “mbyllje aktiviteti” të televizionit “Ora”, për shkelje të urdhrave qeveritarë për parandalimin e pandemisë.
E thënë ndryshe ndërprerje të sinjalit, të një prej mediave kryesore dhe më me ndikim në vend. Vendimi është marrë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe kaq aq shumë gafa dhe paqartësi ligjore sa çdo gjykatë do ta rrëzonte si një letër pa vlerë.
Por më shumë se shkresa shqetësues është akti. Një akt që sigurisht nuk është marrë nga pakujdesia e ndonjë zyrtari, por vjen si një përgjigje e qeveritare ndaj kësaj media të njohur. Ora prej kohësh ka bërë diferencën me shumë media të tjera. Asnjëherë nuk është renditur në televizionet dhe platformat elektronike që i bën fresk apo është nën shërbim të qeverisë. Është ndër të paktat që ka publikuar dokumente mbi tenderat sekretë të qeverisë gjatë pandemisë, si dhe ka pasqyruar të gjithë zërat për skandalin e Teatrit Kombëtar.
Kanë bërë detyrën si media e pavarur, por jo siç i pëlqen qeverisë dhe kryeministrit. Këto ditë kur qeveria dhe mazhoranca është hedhur në një sulm të paprecendtë kur artistëve, qytetarëve dhe çdo zëri kritik, Ora News duket se është kthyer në një shqetësim për kryeministrin Edi Rama dhe njerëzit e tij. Ndaj për RTV Ora ka nisur ora e hakmarrjes qeveritare dhe përballja me një mazhorancë që nuk njeh limit në papërgjegjshmëri dhe abuzime me ligjin. Hakmarrja e parë ishte me dy emisionet e këtij televizioni të drejtuar nga Artur Zheji dhe Sonila Meço.
Me urdhër nga lart autoritetet gjobitën me nga 10 milionë lekë të dy emisionet. Argumenti i përdorur për gjobën është qesharak dhe sipas qeverisë në emisione u ftuan më shumë se dy personazhe. Edhe pse dukshëm vendosja në studio ka qenë sipas distancave të rekomanduara nga qeveria, sërish gjoba është përdorur si presion dhe shantazh ndaj televizionit të njohur.
Pas gjobave hakmarrja nuk është ndalur dhe është kërkuar “mbyllja e aktivitetit”, njëlloj sikur një media të jetë dyqan apo sportel i rilindjes. Në vitin 2020 kanë ndodhur plotë çudira të kësaj qeverie, por deri te akti i mbylljes së mediave kryeministri nuk kish mbërritur ende. Tashmë po tregon se ka hedhur dhe hapin e fundit që ndan shtetin nga regjimet. Sepse mediat kërcënohen, gjobitën dhe mbyllen vetëm në regjime dhe jo nga qeveritë në një vend demokratik.
E kanë provuar në vitin 1997 pushteti i PD-së dhe në vitin 2004 pushteti i PS-së me gazetën KOHA JONE, por dështuan. Pushtet ranë me potere, kurse KOHA JONE ka hyrë në 30 vjetorin e themelimit të saj. Por përballja me pushtetin mbetet e egër, kurdo e kudo.
Ndaj dhe gjobat e kërkesa për mbylljen e televizionit është një alarm jo vetëm për RTV Ora, por për gjithë mediat e tjera dhe shoqërinë. Kemi arritur në pikën kur pushteti po del nga binarët ligjorë. Fillimisht ishte bllokimi i lëvizjes dhe shtetrrethimi, për shkak të pandemisë. Më pas erdhi dhuna dhe ndalimi i të drejtës për të protestuar. Me sulmin ndaj RTV Ora kemi mbërritur te pika më kritike, heqja e fjalës dhe e mundësisë për të thënë të vërtetën.
Duhet të gjithë të reagojmë, se pas RTV Ora Rilindja do trokasi në çdo media kritike.