Edhe gjyqtari më i ashpër i talenteve muzikore, Simon Cowell shtypi dje zilen e artë të pranimit për këngëtaren Nightbirde e cila tregoi se kishte kaluar kancerin dhe kishte vetëm pak shanse mbijetese, para se të këndonte në programin e talenteve‘America’s Got Talent’.
Nightbirde, emri i vërtetë i të cilës është Marczewski, këndoi një këngë origjinale të titulluar ‘Okay’.
30-vjeçarja nga Ohio, SHBA tha se kënga e saj ishte për vitin e fundit të betejës së saj me sëmundjen, teksa gjurmë të kancerit i mbeten ende ne mushkëri, shtyllën kurrizore e mëlci.
Pas këngës së saj emocionale, gjyqtari ‘famëkeq’ britanik i talenteve Simon, dukej se kishte mbetur pa fjalë, teksa Nightbirde iu afrua e i tha: “Nuk mund të presësh derisa jeta të mos jetë më e vështirë, për të qenë i lumtur”.
Simon dukej pranë lotëve, teksa i tha këngëtares se nuk do t’i jepte përgjigjen e zakonshme pozitive “Po”, por diçka tjetër.
Ai u ngrit dhe shtypi butonin simbolik të Pranimit të Artë.
Nightbirde nuk e besonte se kjo do të thoshte se po avanconte menjëherë në shfaqjet ‘live’ për të kërkuar votën direkte te amerikanëve.
Ajo nisi të qante dhe Simon iu afrua për ta përqafuar, duke i thënë se performanca e saj ishte ‘vërtet speciale.’
Nightbirde u largua nga skena dhe më pas tregoi se doktorët i kishin dhënë dy përqind shanse shërimi, por shtoi se ‘dy përqind nuk janë zero përqind.’
Para performancës ajo i tha gjyqtarëve se është e rëndësishme që të gjithë të dinë se ajo vetë “është më shumë se gjërat e këqija që i kanë ndodhur”.
Nightbirde ishte ylli i mbrëmjes, por kishte mjaft konkurentë të tjerë që kënduan ose performuan për një shans në fitoren e çmimit të madhe prej $1 milionë.