Vrasja tragjike e mëngjesit të sotëm, ku një punëtor karburanti në Fier u vra me plumb në kokë, ka sjell publikimin e një video të një tjetër punëtori tjetër karburanti dhe rrezikshmërinë me të cilën përballet.
Sipas gazetares Aida Topalli, ky është një person i sapo liruar nga burgu, për veprën penale të vjedhjes me dhunë.
Bëhet fjalë për Elvis Harrokun. Para 5 netësh ai ndalon në një karburant në rrugën “Myslym Shyri”. Pret derisa punëtori i karburantit të përcjellë klientin dhe më pas, siç duket në pamje, punëtori shkon në drejtim të tij.
Më një shishe ujë në dorë, hajduti i afrohet dhe i kërkon para. Punëtori reagon ashpër, duke e shtyrë. Në acarim e sipër, i riu, që kishte për qëllim marrjen me dhunë të xhiros ditore, i drejton një armë.
Përleshja vazhdon dhe zhvendoset përtej syrit të kameras.
Fatmirësisht punonjësi i karburantit arrin të telefonojë policinë. Autori, i mbetur në tentativë, largohet nëpër rrugicat e një prej lagjeve të Myslym Shyrit.
Brenda pak orësh, lokalizohet nga policia dhe arrestohet. Rezultoi që arma me të cilën kërcënoi punëtorin e karburantit të kishte qenë lodër.