I ftuar në “Politik On” në RTV Ora, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe një herë lajmit që bëri bujë ditën e sotme dhe që lidhet me dënimin me burg të atyre që prodhojnë dhe shpërndajnë meme në rrjetet sociale.
Sipas kryeministrit, një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë ndërsa rrëfeu se është fan i tyre.
Edi Rama: Jo, jo. Absolutisht! Siç ka ndodhur me ata që janë habitur apo mahnitur nga ky lajm. Edhe mua kur ma thanë, e para sepse është e pamundur, teorikisht dhe praktikisht ti ndalosh memet. Por e dyta sepse, unë jam një njeri që më pëlqen të argëtohem me memet dhe shijues i kahershëm i humorit dhe humorit vizual po themi.
Kam patur shumë dëshirë dhe e kam ende dëshirën që Bujar Kapexhiu të ekspozojë të gjitha karikaturat për mua në sallën e ekspozitave në kryeministri. Ai e di. Mbase e ka marrë si shaka, nuk e di por për të ardhur te pyetja juaja, e para nuk bëhet fjalë për një projekt.
Teksa Lela i lexoi atë çfarë përmban neni 238 në projektligjin në fjalë: 1. Publikimi në cdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit, Rama u shpreh:
“Bëhet fjalë për një material të shkruar nga një grup pune, i cili po punon për Kodin e ri Penal dhe e dyta, edhe në atë material që nuk është akoma një projekt i Ministrisë së Drejtësisë dhe aq më tepër i qeverisë. Është nen i marrë që e kanë shumë Kode Penale të Europës. E ka Franca… Dhe sigurisht që nuk lidhet me memet”