“Venom: Let There Be Carnage” debutoi me sukses të jashtëzakonshëm në arkat filmike të Amerikës Veriore, duke u pozicionuar në vendin e parë të listës falë 90 milionë dollarëve të fituara. Njëkohësisht, filmi e ka shënuar hapjen më të mirë nëpër kinema prej fillimit të pandemisë.
Në pozitën e dytë renditet filmi i animuar, “The Addams Family 2” i cili edhe një herë e sjell në ekran, familjen jo të zakonshme e cila kësaj radhe e fillon një aventurë të re, teksa nisen për pushime. Komedia e zezë që vjen në formë të animacionit, arriti që në javën e parë të lansimit t’i arkëtojë gjithsej 17.3 milionë dollarë.
Filmi i ri i bazuar në Universin Kinematik Marvel, “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, vazhdon të ketë performancë të jashtëzakonshme në arkat filmike të Amerikës Veriore. Projekti i fundit me superheronj i kryesoi majat e kësaj liste për disa javë kurse tani ka rrëshqitur në pozitën e tretë falë 6 milionë dollarëve të fituara ekstra. Nga debutimi i tij nëpër kinema më 3 shtator, “Shang-Chi” ka arritur t’i arkëtojë 206 milionë dollarë nga shitja e biletave në Amerikë dhe Kanada.
I katërti në listë renditet filmi “The Many Saints of Newark”, i cili debutoi me sukses në arkat filmike falë arkëtimit të 5 milionë dollarëve. Filmi vjen me regji të Alan Taylorit, kurse pjesë e kastës së aktorëve janë: Alessandro Nivola, Vera Farmiga, Leslie Odom Jr, Jon Bernthal, Corey Stoll, Billy Magnussen, John Magaro dhe të tjerë.
Top-pesëshja këtë javë plotësohet me filmin “Dear Evan Hansen”. Mjuziklli i cili i takon zhanrit dramë, arriti që në javën e dytë të shfaqjes nëpër kinema t’i arkëtojë gjithsej 2.5 milionë dollarë nga shitja e biletave. “Dear Evan Hansen” bazohet në shfaqjen muzikore të vitit 2015, me të njëjtin emër, dhe në rolet kryesore i sjell disa aktorë të njohur të hollywoodit, si Ben Platt, Juliane Moore, Amy Adams dhe të tjerë.