Ashtu siç ju kemi informuar edhe rreth proçesit gjyqësor midis portalit online mediatik “Lapsi.Al” në pronësinë e dy gazetarëve, Armando Shkullaku dhe Andi Bushati dhe Gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu ku ky i fundit nën rolin e paditësit kishte akuzuar për shpifje dhe dëmtim të imazhit të tij portalin informativ për shkak të disa artikujve që sipas paditësit dëmtonin rëndë figurën e tij. Proçesi gjyqësor i cili përfundoi para disa ditësh ku gjykata vendosi pushimin e çështjes me pretendimet e mëposhtme të cilat janë marrë nga vendimi i këtij proçesi zbardhur ekskluzivisht nga InfoMedia Albania.
Gjykata në lidhje me ndërgjyqësinë konstaton se si palë e paditur në këtë gjykim janë thirur “Lapsi.Al” shpk, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati. Për gjykatën nuk mund të kenë pëtgjegjësi solidare “Lapsi.Al” shpk që është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e rregjistruar në datë, 23.01.2015 dhe të paditurit Arman Shkullaku dhe Andi Bushati si persona fizik që njëkohësisht janë dhe administratorët e palës së paditur “Lapsi.Al” shpk. Për gjykatën shtetasit Armand Shkullaku dhe Andi Bushati nuk mund të thirren në cilësinë e të paditurit për të drejta ose detyrime qё mund t’i lindin subjektit tregtar “Lapsi.Al” shpk. Të paditurit Armand Shkullaku dhe Andi Bushati nuk mund tё mbartin asnjё detyrim individual nё kuptim tё pёrcaktimeve tё ligjit Nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, sepse ortakёt e njё shoqёrie tregtare nuk pёrgjigjen individualisht pёr detyrimet e vetё personit juridik, për rrjedhojë gjykata duhet të rrëzojë padinë e ngritur ndaj të paditurve Armand Shkullaku dhe Andi Bushati si një padi e pa pazuar në prova dhe në ligj.
Gjykata përsa i përket kërkimeve të bëra nga pala paditëse për palën e paditur Shoqëria “Lapsi.Al” shpk nuk duhet të merren në konsideratë pasi nuk kanë bazë provuese midis të tjerash për këto shkaqe:
-Dëmi moral i parashikuar ne nenin 625 te Kodit Civil është një nga figurat e dëmit jashtëkontraktor të parashikuara në Kodin Civil. Demi jopasuror përfaqëson nje kategori te gjere dhe gjitheperfshirese te demeve jashtekontraktore. Shpërblimi i dëmit jashtë kontraktor parashikohet në nenin 608 të Kodit Civil i cili sanksionon: “Personi qe, ne menyre te paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dem ne personin e tij… detyrohet te shperblejë demin e shkaktuar. Demi quhet i paligjshem kur eshte rrjedhim i shkeljes ose i cenimit te interesave dhe i te drejtave te tjetrit qe mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira”.
Me tej, ne nenin 609 te Kodit Civil eshte percaktuar shprehimisht se: “Demi duhet te jete rrjedhim i drejtperdrejtë dhe i menjehershem i veprimit ose i mosveprimit te personit”.
-Dëmi jopasuror përfshin çdo lloj dëmi të pësuar nga cënimi i të drejtave dhe
interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e njeriut dhe që nuk janë subjekt vleresimi të drejtpërdrejtë ekonomik në treg.
-Në thelbin e tij, ky institut njeh të drejtën e dëmshperblimit për çdo lloj dëmi jopasuror jashtëkontraktor, i cili është i ndryshëm nga ai pasuror.
-Nderi dhe personaliteti i një personi janë ndër të drejtat me karakter personal jopasuror, të cilat mbrohen nga një kornizë ligjore kushtetuese civile dhe penale. Konkretisht, neni 625/a i Kodit Civil ku mbështet padia, përcakton të drejtën e personit të dëmtuar nga një dëm të ndryshëm nga ai pasuror të kërkojë shpërblim kur është cënuar në nderin dhe në personalitetin e tij.
-Cënimi i nderit dhe i personalitetit konsiston në faktin kur dikush fyen dhe shpif nëpërmjet përhapjes së qëllimshme të të dhënave apo të informacioneve poshtëruese, të paqëna, mashtruese, me qëllim dëmtimin e figurës së personit ndaj të cilit drejtohen.
-Nderi përfshin në vetvete pastërtine morale të një personi, sjelljen e tij në raport me normat shoqërore dhe ligjore dhe emrin e mirë që ai gëzon në marrëdhënie me shoqërinë, e ndikuar nga terësia e tipareve të tij vetiake dhe morale.
-Personaliteti është tërësia e veçorive psikike, të karakterit, të sjelljes etj, që individualizojnë një person nga tërësia e individëve të tjerë të një shoqërie, duke i dhënë atij një pozicion të caktuar shoqëror.
-Në mënyrë që kërkimi i atij që pretendon se ka pësuar një dëm jopasuror të pranohet duhet të plotësohen katër elementë të vërtetimit të shkaktimit të dëmit, të cilët janë: 1) Kundërligjshmëria e veprimeve të shkaktuesit të dëmit; 2) Dëmi i shkaktuar; 3) Fajësia e shkaktuesit të demit; dhe 4) Lidhja Kauzale (shkak-pasojë) midis veprimeve të kundërligjshme të shkaktuesit të dëmit dhe pasojës së ardhur nga këto veprime.
Veprim i paligjshëm në kuptim të nenit 608/2 të K.Civil, cilësohet çdo veprim që është rrjedhim i shkeljes ose cënimit të të drejtave dhe interesave të tjetrit, të cilat mbrohen nga rendi juridik ose zakonet e mira. ” vazhdon vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë “
Paditësi Muhamed Veliu ka pretenduar se pala e paditur Shoqëria “Lapsi.Al” shpk e ka fyer, cënuar në ndërin dhe personalitetin e tij nëpërmjet botimit të artikujve: Të datës 08.07.2015“Merkel i përgjigjet ftohtë pyetjes së parapërgatitur të Top Channel”, të datës 23 korrik 2015, “Met Veliu i Top Channel “godet” sërisht/lavdëron shërbimin mjekësor”, të datës, 24 korrik, 2015, me titull “Aventurat e Met Veliut”, gjatë pushimeve fantastike në jug të Shqipërisë” dhe të datës 24 korrik, 2015, “Met Veliu në Himarë vazhdon udhëtimi fantastik ” dhe për këto këkon dëshmshpërblim moral.
Për gjykatën kjo padi është një padi e pa mbështetur në prova e në ligj. I takon palës paditëse barra e provës për të vërtetuar ardhjen e këtij demi moral.
Nga pala paditëse nuk u provua se, qëllimi i palës së paditur ka qënë cënimi i figurës dhe personalitetit të paditësit, si dhe nuk evidentohet asnjë shprehje që ti referohet në mënyrë të drejtpërdrejt moralit, nderit apo personalitetit të paditësit.
Përsa i përket elementit të egzistencës së dëmit, nuk eshte vërtetuar kryerja e një veprimi të paligjshëm në kuptim të nenin 608 të K.Civil.
Në kushtet kur nuk vërtetohen kushtet kryesore per vertetimin e demit jopasuror, nuk është e nevojshme të analizohen elementët e tjerë të tij, pasi të katër kushtet janë të lidhura ngushtë dhe duhet të plotësohen njëkohësisht dhe mungesa qoftë dhe vetëm e njërit prej tyre sjell mospranimin e pretendimit për shpërblimin e dëmit moral.
Përsa i përket referimit që pala paditese bën në vendimin unifkues të Gjykatës së Lartë Nr.12 datë 13.09.2007, vlerësohet se nuk janë kushtet për zbatimin e tij.
Nisur nga sa u argumentua më lart gjykata arrin në konkluzion se kërkesë padia e palës paditëse Muhamed Veliu është e pa bazuar në ligj e në prova e sie tillë duhet të rrëzohet.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata në bazë të nenit 126, 306 dhe 309 të K.Pr.Civile,
VENDOSI:
Rrëzimin e kërkesë-padisë së paditësit Muhamed Veliu.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, brënda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së vendimit për palën paditëse prezent, dhe nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit për palët e paditura në mungesë.”
Përfundon vendimi i gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, ndërsa ende pritet apelimi i gazetarit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
InfoMedia Albania | Nuk lejohet kopjimini këtij materiali pa autorizim