Pak ditë pas publikimit të skandalit, ku dy gazetaret Ermira Kazhani dhe Bieta Sulo paguheshin nga Bashkia Tiranë si specialiste të UKT, një tjetër punësim “me njohje” është publikuar ditën e sotme.
Me këtë skemë të turpshme, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka punësuar në OST edhe bashkëshorten e tij. Sipas dokumenteve të publikuara nga Bold News, Ajola Xoxa është punësuar si këshilltare e jashtme në OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit).
E ndërsa Bieta me Mirën janë punësuar, pasi i bënin fresk qeverisë, Ajola Xoxa është punësuar nga drejtori Skerdi Drenova, ku ky i fundit ka mbajtur postin e drejtorit të INUV në Bashkinë e Tiranës, duke qenë vartës i Erion Veliajt.
Mesa duket në këtë mënyrë ai i ka bërë nder ish-shefit duke i punësuar gruan si këshilltare me një pagë mujore prej 1.275.000 lekë të vjetra në muaj. Dokumenti “marrje në punë” daton në 3 Tetor 2019.
Kujtojmë se Skerdi Drenova gjendet në një listë emërore të kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike, në vitin 2017, pas incidenteve për prishjen e një pjese të Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë.
Të tilla skema punësimesh qarkullojnë prej kohësh në media, por duket se askush nuk mban përgjegjësi.