RTSH Gjirokastra vjen këtë fundvit me një buqetë buzëqeshjesh për të gjithë teleshikuesit. “Variete 2024” titullohet programi që po përgatitet nga artistët e teatrit profesionist “Zihni Sako” në bashkëpunim dhe me këngëtarë të njohur të muzikës popullore dhe asaj të lehtë.
Drejtori i artit dhe kulturës Kudret Alikaj zbulon disa nga detajet që do ta bëjnë të dashur këtë minutazh festiv që do të shoqërojë teleshikuesit tanë ndërsa do të shijojnë darkën e fundvitit.
“Është një ndërthurje mes skeceve, grimcave e poezive humoristike që do ti mbajë mbërthyer shikuesit që do ta presin 2024 pranë tryezës familjare.”
Ndërsa vlerëson këtë bashkëpunim aktorja njekohësisht edhe skenaristja e këtij programi Liljana Ristani shprehet e sigurt se pulti i televizorit do të ndalet te ekrani i RTSH Gjirokastra.
“Janë materiale me pak kripë dhe piper, sepse i nevojiten tavolinës plot ëmbëlsira. Jam e sigurt se pulti do të qëndrojë vetëm tek ekrani i televizionit Gjirokastra.”
Për drejtorin e RTSH Gjirokastra kjo variete ka rikthyer në ekran disa nga emrat më të njohur të muzikës gjirokastrite sic është këngëtarja Eftimi Llambro. “Variete 2024” do të transmetohet për publikun në natën e ndërrimit të viteve ora 21. Na ndiqni për një darkë më të gëzueshme.