Në puntatën e katërt të spektaklit të vallëzimit “Dancing With The Stars”, në ekranin e Vizion Plus do të jetë e ftuar një aktore e famshme italiane. Pas shumë emrash dhe zërash për praninë e një ylli italian në këtë spektakël, tashmë gjithçka është zyrtare dhe e vërtetë.
Këtë të hënë, pjesë e spektaklit, si në juri ashtu edhe në skenën e vallëzimit do të jetë e pranishme ylli i kinematografisë italiane, Valeria Marini. Bukuroshja 47 vjeçare e njohur gjithashtu nga publiku si një show girl, modele apo edhe stiliste do të jetë e pranishme në teatrin e yjeve të Vizion Plus për të kaluar një mbrëmje të bukur nën ritmet e vallëzimit në “Dancing With The Stars”. Siç duket aktorja italiane ka pranuar ftesën e producentes Holta Dulaku për të qenë e pranishme për herë të parë në Tiranë.
Për herë të parë Valeria ka luajtur në filmin italian “Cronaca Nera” në vitin 1987, kur ishte 20 vjeçare. Për të vazhduar më vonë në vitin 1991 ku u anonçua në teatër me komedinë “I Ragazzi Irresistibili”. Në televizion ajo hyri zyrtarisht në vitin 1992 në show-n “Luna di Miele”, për të vazhduar në vazhdim sukseshëm edhe në projekte të tjera në bashkëpunim edhe me shumë emra të tjerë të njohur italian në kinematografi dhe televizion. Aktualisht është një ndër personazhet më të njohur të jetës artistike në Itali.
IMA / S. Dema